​Vetëvendosje: Z-Mobile t’ia kthejë 300 mijë numra Telekomit

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje ka mirëpritur vendimin e Telekomit për mos vazhdimin e kontratës me Z-Mobile, ndërsa i bën thirrje publike Bordit të Telekomit që të dërgohet urgjentisht lënda e plotë në Prokurori dhe gjykatë, me qëllim njohjen e dëmit të shkaktuar dhe dëmshpërblimin e Telekomit nga Z-Mobile.

Kjo parti po ashtu kërkon që të ndërmerren masat e plota përmes zyrës ligjore për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të padrejtë të arbitrazhit.Po ashtu i bën thirrje Autoritetit Rregullativ (ARKEP) që sa më parë të ndërmarrë veprimet që 300 mijë numrat në përdorim të Z-Mobile sa më parë t’i kalojnë efektivisht Valës, pasi çdo ditë e zvarritjes së këtij procesi është vazhdim i dëmtimit të Telekomit.

“Çdo kërkesë e kompanisë Dardafone.net, për veprime apo kërkesa në fushën e telekomunikimeve të mos merret në konsideratë nga ARKEP për sa kohë që një seri lëndësh, raportesh, hetimesh janë duke u zhvilluar prej krimeve ekonomike deri te Komisioni hetimor parlamentar në Kuvend”, thuhet në komunikatë. Ndryshe, Telekomi i Kosovës ka shkëputur edhe zyrtarisht sot marrëveshjen me operatorin Z-Mobile, teksa ka paralajmëruar edhe padi për dëmet e shkaktuara.