Ahmeti pas takimit me Hanin, foli për “bombat”, PSP-në dhe “vetingun”

Shpërndaje

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi se në takimin me eurokomesarin Johanes Han kanë folur për tri çështje: Ligjin për Prokurori Publike, Vetingun apo siç e quan ai pastrimin e personaliteteve dhe për Regjistrimin e Popullsisë, transmeton Portalb.mk.

“Ishte një takim mjaftë i rëndësishëm. Një takim pune në vazhdën e zhvillimeve. Biseduam tre tema: Ligji për Prokurori Speciale, mbi pastërtinë e personalitete politike, qofshin ato të nivelit qendror dhe të nivelit lokal si dhe mbi organizimit të regjistrimit të popullsisë së Maqedonisë së Veriut. I treguam zotëri Hanit se ne mbështesim Ligjin për Prokurorinë Speciale me ato mendime ne mendojmë se begatojnë ligjin për prokurori si dhe mora informacionet e duhura mbi ligjin për pastërtinë e figurave, ku nga ato informacione që i mori Han, ndau mendimin: Se vendi ka nevojë që personalitetet duhet të kalojnë nëpërmjet një institucioni kredibil për të zvogëluar të gjitha propagandat që u bëhen atyre figurave. Sa i takon regjistrimit i dhamë vlerësimet e duhura me çka zotëri han përshëndeti përpjekje që të jetë sa i më suksesshëm”, tha Ahmeti.

Ai u shpreh kundër idesë që në krye të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë (në të cili shndërrohet Prokuroria Speciale Publike) të qëndrojë një ekspert ndërkombëtar.

“Vendi nuk ka nevojë ta shndërrojë veten në protektorat, sepse në këtë vend gjërat dhe proceset kanë shkuar aq lartë, sa që ne jemi anëtarë NATO, dhe jemi në prag të hapjes së negociatave me BE-në, dhe vendi ka kapacitet të mobilizohet, si në aspektin e gjuhësisë, edhe në aspektin e legjislativit dhe të ekzekutivit”, tha Ahmeti.

Ai ka vlerësuar se sa i takon përgjimeve ilegale – “bombave”, nëse ka dyshime për diçka, të jenë të njëjtat si dëshmi në lëndë.

“Ne në vazhdimësi kemi deklaruar se nëse ka materiale të tilla që munden të shfrytëzohen për dëshmi, sigurisht se ato janë në duar të prokurorisë për procese, për tu përmbyllur të gjitha thashethemet që hapen në publik”, tha Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu ka deklaruar se nuk ka propozime për kryeprokuror të Prokurorisë së re.

“Ne nuk kemi propozime, sepse prokurorët i zgjedhë këshilli i prokurorëve”, tha Ahmeti, dhe hodhi poshtë që të hapet debati që në Maqedoninë e Veriut të ketë një njësi zgjedhore.