“Një parti shqiptare në Maqedoni po pengon lirimin e Tomorit, dëshiron të fitojë pikë politike në fatkeqësinë e tij!”

Shpërndaje

Një parti shqiptare në Maqedoni është duke bë presion që të mos lirohet ish ushtari i UÇK-së, Tomor Morina, kanë thënë për Gazetën Lajm burime nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së në Kosovë.

Sipas informacioneve që kanë ata, Morina është dashur të lirohet dje nga burgu i Shkupit por me insistim të partisë në fjalë “e cila tradicionalisht përfiton pikë politike në fatkeqësitë e shqiptarëve”, lirimi i Tomorit është shtyrë.

“Ata kushtëzojnë lirimin e Tomorit. Kanë dy kushte-kushti i parë është që para se të lirohet ta vizitojnë në burg dhe të fotografohen me të për të fituar pikë politike, kurse kushti i dytë është ta detyrojnë Tomorin pasi të dalë nga burgu të fotografohet me kryetarin e partisë së tyre, ose me ndonjë funksionar të lartë të kësaj partie”, kanë thënë këto burime.

Disa veteranë të UÇK-së, anëtarë të Organizatës së veteranëve, thonë se pasi të lirohet Tomori do të përmendin edhe emrin e partisë shqiptare në Maqedoni që ka zvarritur lirimin e bashkëluftëtarit të tyre.

Mbrojtja e Tomor Morinës për momentin hesht dhe nuk i komenton këto informacione. Ende nuk dihet kur do të bëhet lirimi i tij./gazetalajm/