Vlorë, shkrumbohet në flakë anija turistike

Shpërndaje

Në Shqipëri, një anije turistike e cila ofron transport detar nga Porti i Vlorës drejt Gadishullit të Karaburinit, gjatë sezonit veror, ka marrë flakë, në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndërsa ishte ankoruar pranë gjirit të Dhimokushtës në zonën e Karaburunit. Në momentin e rënies së zjarrit, në bord kanë qenë vetëm 5 persona nga personeli të cilët janë hedhur menjëherë në det.Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës “Mjeti lundrues “Aqua Marine” duke qenë se punon me turistët nga Moli i Vlorës drejt Karaburunit, për shkak të luhatjeve të kohës, është shkëputur nga Moli i Vlorës në fundjavë dhe është ankoruar në Karaburun, me qëllim që të ishte e përgatitur për vozitjen e turistëve atje. Në orët e para të mëngjesit në Karaburun pranë plazhit të Shën Vasilit, në këtë mjet lundrues ka rënë zjarr duke u rrezikuar jeta e disa shtetasve”, shpjegon njoftimi, duke saktësuar se mjetet lundruese të Policisë Kufitare kanë shkuar në vend menjëherë pas njoftimit duke shpëtuar dhe 5 punonjësit që kishin qenë në anije, e cila është djegur thuajse plotësisht.Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit i cili dyshohet të ketë nisur në zonën e motorrave. Anija, e cila ushtron aktivitetin në mënyrë të rregullt, mësohet se i ishte nënshtruar remontit disa muaj më parë. Ajo kishte një kapacitet prej afro 100 personash dhe prej kohësh ofronte një nga shërbimet më tërheqëse duke transportuar pushues drejt plazheve të gadishullit të Karaburinit, të cilat mund të vizitohen vetëm përmes rrugës detare./Top Channel