Video e re për rastin “Reket”, Katica: “Mos u shqetëso, çdo gjë do të jetë mirë”

Shpërndaje

Orce Kamçev: Dakord. Boki 13: Çfarë bën . Orce Kamçev: Asgjë, ja në shtëpi. Boki 13: Dakord. Të përshëndet zonja. Orce Kamçev: Faleminderit. Përshëndete edhe ti. Boki 13: Edhe unë jam në fund, nuk mund të afrohem. Orce Kamçev: Për sa kohë sepse kam diçka te unë… Katica Janeva: Mos u shqetëso, çdo gjë do të jetë mirë. Orce Kamçev: Dakord, dakord. Nuk ka problem, nuk ka problem.

Pas paralajmërimit për detaje të reja tronditëse për rastin “Reket”, sot gazeta italiane “La Verita” publikoi audio incizim ku dëgjohet edhe zëri i prokurores speciale, Katica Janeva. Janeva në reagim me shkrim përmes faqes së Prokurorisë Speciale pohoi besueshmërinë e bisedës. Shton se si prokurore ka obligim të flasë me të dyshuarit e lëndëve, por mohon përfshirjen e saj në zhvatje.

Si prokurore speciale është detyra ime të kontaktoj me të gjithë të dyshuarit, si dhe personat e tjerë lidhur me procedurat penale në këtë Prokurori Publike dhe të përpiqem të nxjerr sa më shumë informacione për të përmirësuar pozicionin për secilin hetim- për çdo rast individualisht. Kam folur për rritjen e nivelit të bashkëpunimit me të dyshuarit, për të zbuluar informacione të reja në lidhje me hetimin, më saktë, përmirësimin e pozicioneve tona si prokurorë publik, por në asnjë mënyrë, në asnjë kohë, nuk kam bërë pazar për ndonjë ndikim, nuk kam abuzuar me pozitën time zyrtare dhe nuk kam vepruar në kundërshtim me ligjin. Një prokuror është gjithmonë një prokuror, edhe kur bisedon me të dyshuarit përmes telefonit, ndërsa për këtë rast në atë moment kishte arsyetim – ka shkruar Janeva.

Janeva bën thirrje që sa më shpejtë të përfundojë hetimi për rastin “Reket”, sepse siç thotë, dëshiron të zbardhet emri i saj. Menjëherë pas saj, reagoi prokurorja Lile Stefanova. Emrin e saj në një prej bisedave e përmend Kamçev, i cili e pyet Boki 13 nëse ajo është “në lojë” pasi përmes biznesmenit Vanço Çifliganec ka kërkuar objekt për ordinancë stomatologjike, por në incizim nuk ka përgjigje nga Jovanovski në pyetjen që e parashtron Kamçev. Stefanova thotë se Kamçev e përmend për ta komprometuar rolin e saj si prokurore. Pohon se edhe pse nuk pajtohej, vendimet për ndërrimin e arrestit me masa më të lehta i ka firmosur shefja e saj, Janeva. Stefanova shkon edhe një hap më tej, duke akuzuar Janevën se ka kërkuar dy lëndë “Perandoria” dhe “Poshtenska Banka” të mbyllen vetëm me kompensim me para ndaj shtetit, jo edhe me dënime me burg.

Më 16 Prill të vitit 2019, në zyrën e Katica Janevës u mbajt mbledhje në të cilën ajo mori vendime të caktuara para prokurorëve të pranishëm, që kishin të bënin me rastet “Perandoria dhe Poshtenska Banka”. Konkretisht, ne u urdhëruam që deri më 06 maj 2019, më së voni, deri tek ajo të paraqisnim raporte me shkrim për dëmin në të dy rastet që të dyshuarit duhej t’ia paguanin shtetit, pas çka rastet “për t’u mbyllur këtu” dhe të dyshuarit “të mos shkojnë në burg”. Megjithatë, unë dhe prokurori Burim Rrustemi përgatitem raporte me shkrim në të cilat, përveç shumave të dëmit, i kemi cekur edhe dënimet e mundshme me burg, sipas Kodit Penal, në rast të marrëveshjes me Prokurorin Publik. Për më tepër, për rastin “Perandoria” theksova se është në një fazë shumë të hershme për një marrëveshje të mundshme dhe se hetimi duhet të vazhdojë në periudhën e ardhshme – u shpreh Lile Stefanova – Prokurore e PSP-së.

Edhe biznesmeni Çifliganec e përgënjeshtroi Kamçevin. Ai thotë se asnjëherë nuk ka folur me të për t’i dhënë dyqan për ordinancë. Materialet e publikuara nga gazeta “La Verita”, siç raporton Prokuroria Publike, janë pjesë e procedurës dëshmuese dhe deri tek ta i ka dorëzuar dëshmitari Orce Kamçev. Pavarësisht pushimeve vjetore, nga atje thonë se hetimi është duke u zhvilluar pa pengesa. Prokurori republikan Ljubomir Jovevski sot për disa media theksoi se nuk do të kursehet askush dhe se Janeva dhe Stefanova do të merren në pyetje në procedurën hetuese e cila ende është në rrjedhë e sipër. Prokuroria e rregullt në hetimin për rastin “Reket” ia morri celularët Janevës, por përveç të ndaluarve Boki 13 dhe Zoki Kiçeec, ende nuk ka asnjë tjetër të dyshuar./Alsat