Bujar Osmani jep një lajm të madh, partia e Merkelit PO hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

Zv/kryministri Bujar Osmani i cili ndodhet në SHBA, sapo na dha një lajm të madh. “CDU/CSU me shumicë apsolute sapo morri vendimin partiak për të mbështetur nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Paralajmrim i mirë për votimin e Bundestagut të enjten!
Faleminderit Kancelare Merkel!” ka shkruar Osmani

Dy kushtet e vendosura nga Bundestagu para se të fillojë konferenca e parë e anëtarësimit, e cila pritet të jetë nga pranvera e vitit te ardhshëm janë funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe miratimi i reformës zgjedhore. Sipas deputetëve, ligji i ri zgjedhor duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore dhe të bazohet në rezultatet e Komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore. “Përpunimi i draftit të hartuar aty duhet të bëhet në një dialog të hapur duke përfshirë të gjitha forcat politike, siç rekomandohet në raportin e ODIHR-it të datës 5 shtator 2019″, thuhet ndër të tjera në dokumentin që e ka ekskluzivisht DW.

Sipas burimeve të para nga qarqet e CDU/CSU , dokumenti u miratua me shumicë të madhe votash. Vetëm 28 deputetë kishin qenë kundër, katër abstenuan, nga 246 deputetë që ka gjithsej grupi parlamentar më i madh në Gjermani. Grupi parlamentar socialdemokrat e kishte miratuar më parë të njëjtin dokument me shumicë të madhe votash.

Të enjten në mbrëmje dokumenti pritet të miratohet në Bundestag pas një debati 45 minutash. E vetmja parti që pritet të jetë kundër çeljes së negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor është grupi parlamentar opozitar i Alternativës për Gjermaninë (AfD). Partitë e tjera opozitare, Të Gjelbrit, dhe liberalët e FDP-së pritet të thonë po, ndërsa e Majta është ende e lëkundur, por anon nga po-ja.