“Dallga e tubimeve të fitores, tashmë të pashmangshme”, Lëvizja VETËVENDOSJE vazhdoi në Viti

Shpërndaje

Dallga e tubimeve të fitores, tashmë të pashmangshme, vazhdoi në Viti. Vitia e priti masivisht e plot entuziazëm tubimin me Kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurtin. Në terrin e kapjes së shtetit e shoqërisë, Lëvizja është ylli që sjell dritën e të ardhmes në Kosovë.

Për kandidatin, Njazi Isaku, Lëvizja do të fitojë sepse tashmë jemi më shumë, më mirë e më të bashkuar se ata që e degraduan Kosovën. “Qeverisja e një vendi është publike dhe e hapur e jo private dhe sekrete”, tha kandidati e njëherazi Kryetari i Qendrës në Viti Isaku.

Kandidatja Mirlinda Sadiku tregoi se në Kosovë qeveritë e deritanishme i kanë vjedhur shpresën punëtorit me 12 ore punë, ndërmarrësve me nëpërkëmbjen e biznesit privat, studentit për ndërtimin e të ardhmes së tij dhe mergimtarit për rikthimin në atdhe.

Vitinë e kanë izoluar me autostrada të mbyllura e pa zhvillim lokal, por tashmë qytetarët po thonë ‘boll më’.

Në një sallë ku brohoritjet nuk kishin të ndaluar, Kandidati Liburn Aliu kujtoi se VETËVENDOSJE! është emri historik i Kosovës, ndërkohë që kush e ka harruar historinë është bërë skllavërues i këtij populli. “Ne kemi thirrur gjithmonë VETËVENDOSJE! dhe vetëm kur e kemi thirrur këtë fjalë kemi ekzistuar bashkë e bindshëm dhe sot po e thërrasim këtë emër për qeverisjen e re”, tha aktivisti e kandidati Aliu.

Fitorja e Lëvizjes ka marrë dhenë dhe Kandidatja Albulena Haxhiu bëri të ditur se, “tubimet e kësaj fushate janë hera e fundit kur ne akuzojmë një të keqe që po shkon dhe siç thotë populli ‘kurrë mos u ktheftë më’. Do t’u japim goditjen e fundit me 6 tetor dhe për 4 vite do t’u tregojmë se si duhet të qeveriset vendi”.

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, përmendi faktin se më shumë kanë emigruar në vitet pas shpalljes së pavarësisë nga Kosova sesa edhe në kohën e okupimit dhe se kjo prirje është në grahmat e fundit. “Me numrin 126 erdhi dita që të investojmë në arsim e shëndetësisë, infrastrukturë e energji”, u zotua numri 1 i numrit fitues 126.

Qeveria Kurti zotohet se do t’i sigurojë ilaçet bazë dhe do të garantojë kujdesin shëndetësor publik që meritojmë e na takon. Barazia mes qytetit e fshatit do të rritet duke investuar në ujin e pishëm, ndriçimin, kanalizimet, ujësjellësat, çerdhet e infrastrukturën publike kudo në Kosovë.

Lëvizja nuk do t’i vazhdojë proceset nëpër të cilat ka mbetur peng vendi, por do ta çlirojë atë në procese të reja. “Erdhi dita të investojmë në energji, industri e bujqësi që t’i hapim fabrikat, t’i punojmë arat dhe ta rrisim punësimin”, shtoi Kryeministri Kurti.

Djersa e punëtorit dhe e bujkut po i zë besë përpjekjeve të aktivistëve të Lëvizjes për drejtësi, barazi e zhvillim në Kosovë. Në qeverinë Kurti bëhen bashkë mundi e djersa, dëshirat dhe ëndrrat e të gjithë qytetarëve. Qeveria Kurti ia kthen fytyrën dhe ia drejton kurrizin Kosovës.