Ferizaj: Mbështetje Masive për Ndryshime të Mëdha me Lëvizjen Vetëvendosje!

Shpërndaje

Nga pallati i zjarrtë i sportit në Ferizajn e harmonisë fetare e sipërmarrësve të rinj mbajtëm tubimin e radhës të fushatës zgjedhore mes mijëra qytetarësh. Së shpejti nuk do të ketë as pallate sporti të mëdhenj mjaftueshëm për tubimet tona. Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë është emri i fitores, sllogani i popullit dhe rruga e të ardhmes së vendit.

Kandidati dhe Kryetari i Qendrës së Ferizajt, Valon Ramadani, kujtoi përpjekjet nëpër kryengritje të shqiptarëve 126 vite më parë për të treguar se përpjekja e tyre është paraprirëse e fitores tonë për drejtësi politike dhe ekonomike. Haki Abazi e vazhdoi paralelizimin historik duke krahasur 6 tetorin e vitit 2019 me 6 tetorin e vitit 1968 ku entuziazmi i shqiptarëve për të drejta kombëtare e barazi me kombet e tjera ishte i pakompromis. “Ky është fundi i pushtimit pas çlirimit të vitit ’99, sepse do t’i japim fund hajnisë, krimit e korrupsionit dhe metodave të nënshtrimit që të gjitha partitë kanë përdorur për ta gjunjëzuar e varfëruar që ta manipulojnë dhe drejtojnë në drejtimin e duhur”, tha kandidati Abazi.

Për kandidaten Arbërie Nagavcin, 6 tetori mund ta çlirojë shtetin nga kapja vetëm nëse fitorja është plebishitare, “Republika nuk është pronë private, por është inteligjenca jonë publike”. Si inteligjencë publike, Kosova ka nevojë për rimëkëmbjen e arsimit, investimin në shkolla, dinjitetin për mësimdhënësit, vëmendjen maksimale për fëmijët dhe lidhjen e arsimit me ekonominë. Mirëpo, të gjitha projektet për të ardhmen e vendit, shpjegoi kandidati Xhelal Sveçla, mund të çohen para vetëm në një shtet të sigurtë, ku të gjithë janë të barabartë përpara shtetit dhe askush nuk qëndron përtej ligjit. “Të gjitha partitë e tjera e kanë qeverisur vendin dhe ne e dimë se nga këta nuk mund të vijë ndryshimi. Këta edhe mund të na e vjedhin programin, edhe mund të na e kopjojnë atë, por ndryshim nuk sjellin”, tha në vazhdim aktivisti i kahmotshëm i Lëvizjes, Sveçla.

Kryetari jonë dhe Kryeministri i ardhshëm i mbarë Kosovës, Albin Kurti, ia filloi me konstatimin se rinia dikur ikte prej Serbisë e tash prej qeverisë. Qeveria Kurti do ta zëvendësojë korrupsionin me shërbim, privatizimin me investime, deindustrializimin me ringritje fabrikash, keqpagimin e punëtorëve me të drejta kolektive për ta, dhe dhunën ndaj gruas me mbështetje sociale e arsimore për gratë.

Duke prezantuar vizionin e qeverisë, Kryeministri në ardhje Kurti bëri me dije se në katër vite mandat 1.4 miliard euro do të jenë investime publike për sektorët strategjikë të Kosovës, 160 milion euro investime në arsim çdo vit, dhe 1000 bursa në disponim për vajzat studente që studiojnë matematikë e shkenca natyrore.

Punëtorët do të kenë zërin e tyre në qeverisjen Kurti, puna e tyre do të njihet, jeta e tyre do të mbrohet dhe organizimi i tyre do të mbështetet. Për shëndetësinë, Albin Kurti u përbetuar se shëndetësia publike pa pagesë individuale do të jetë e garantuar dhe me investimet e nevojshme. “Askush nuk duhet të vdes pse është i varfër, i papunë apo me rrogë të vogël”, tha ai.