Informatori Gjorgji Llazarevski komentoi dëshminë e Verushevskit

Shpërndaje

“Deri më tani kam qenë gjithmonë transparent, kështu do të jem edhe në të ardhmen.” Këtë përgjigje të shkurtër e dha informatori Gjorgji Lazarevski, pas dëshmisë së djeshme të Zoran Verushevskit për rastin “Target- Fortesa” se bombat nuk kanë përfunduar te ai, por në LSDM. Në deklaratë, ai tha se pas paraburgimit të tij, bombat kaluan nëpër modifikime dhe komprometime të tmerrshme.

Sipas prokurores Fatime Fetai, vetëm Verushevski mund të sqarojë se çfarë ka menduar me këtë deklaratë. Për të, vërtetësia e materialeve nuk diskutohet, dhe këtë nuk e kanë mohuar as të pandehurit në sallën e gjyqit. Nuk bëhet fjalë për dëshmi të izoluara në lëndët, por “bombat” janë të mbështetura nga dëshmi të tjera materiale dhe verbale, tha sot Fetai.

Bëhet fjalë për një deklaratë që nuk ka përfunduar ende. Z. Verushevski herën e fundit u mor në pyetje direkt vetëm nga prokuroria, pastaj vijon marrja në pyetje e kryqëzuar nga mbrojtja. Në fund gjykata ka të drejtë të parashtrojë pyetje me karakter sqarues – tha Fatime Fetai, prokurore.

Verushevski tha gjithashtu se jo vetëm Zoran Zaev, por edhe Branko Crvenkovski kishte pasur qasje në bombat edhe atë që nga viti 2010. Deri më tani, as ish-udhëheqësi e as ai aktual i LSDM-së, nuk e komentuan këtë qëndrim në gjykatë të bashkëpartiakut të tyre. Juristët e konsultuar nga Alsat, thonë nëse bombat nuk janë të “ngjitura, prera dhe montuara”, atëherë Verushevski duhet të thirret në Prokurori për dhënie të deklaratës së rreme. Seanca dëgjimore e radhës për Target-Fortesa është caktuar për më 10 tetor. Kjo lëndë ka të bëjë me përgjimin masiv të rreth 20,000 qytetarëve për një periudhë 8 vjeçare pa urdhër gjykate. Të akuzuar janë Gordana Jankulovska, Goran Gruevski, Sasho Mijalkov dhe 8 të tjerë./Alsat