Koment: Si mundet Prokuroria të lëshojë në shtëpi njeriun që mori 1 milion euro reket !?

Shpërndaje

Dje i dyshuari i dytë në rastin “Reket”, Zoran Milevski Kiçeec, u lëshua nga paraburgimi në Shutkë, në paraburgim shtëpiak. Lëshimi i tij në paraburgim shtëpiak ishte kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarit, e të cilën kërkesë Prokuroria Publike e pranoi si të arsyeshme, dhe kështu, njeriu që mori 1 milion euro reket nga Orce Kamçev, do të qëndrojë pranë familjes së tij në shtëpi, shkruan Zhurnal.

Si mundej kështu të vepronte Prokuroria Publike, pikërisht në kohën kur duhet të meret vendimi se a do t’i jepet datë Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave inkuadruese në BE.

E pakuptueshme është veprimi i fundit i Prokurorisë Publike duke lëshuar në shtëpi, thuajse në liri, personin të cilin të gjithë e pamë duke dalë nga shtëpia e Orce Kamçev me një çantë me përplotë 1 milion euro.

A do të thotë kjo se është një marrëveshje politiko-gjyqësore mes politikanëve, prokurorëve dhe gjykatësve me qëllim mos-përhapjen dhe heshtjen e rastit “Reket”?

Me këtë veprim, gjyqësia vetëm se i hedhë vaj zjarrit në aferën “Reket”. A mund të thuhet që Kiçeec tani do të shfrytëzohet si dëshmitar i mbrojtur? Veprimi për lëshimin e tij ende është i paqartë.

Është e vërtetë se ai nuk ka ndonjë funksion publik dhe nuk mund të ndikojë tek dëshmitarët, si dhe nuk është aq i njohur sa dhe Boki 13 dhe Janeva, por gjithsesi, i njejti ka faj po aq sa edhe Boki 13 dhe Janeva.

Pikërisht sundimi i ligjit është çështja më “e ndijshme” për të cilën po druan Republika Franceze në krye me Makron. Pikërisht këto janë ato “xhokerët” e Maqedonisë me të cilat mund ta bindë Francën për të votuar pro marjes së datës muajin e ardhshëm, mirëpo si duket Maqedonia nuk di t’i shfrytëzojë këto “xhokerë”.

E gjithë Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ngritur në këmbë për këtë shtet të vogël, duke e ruajtur si “djalë pas shtatë vajzave”, por çfarë bënë Maqedonia, lëshon në shtëpi personat që kryejnë korrupcion të lartë.

Nuk është çudi që periudhën që vijon në shtëpi të lëshohen edhe Boki 13 dhe Katica Janeva, ashtu siç u lëshuan edhe shumë të tjerë të cilët ngarkoheshin për korrupcion të lartë, si Sasho Mijallkov, Mile Janakieski e shumë të tjerë.