Kurti në Mitrovicë: Ata që po bëjnë premtime të reja sot, janë ata që na mashtruan e na vodhën dje (Video)

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në qytetin e Mitrovicës.

Kandidati për Kryeministër nga kjo lëvizje, Albin Kurti, ka thënë se janë ata që kanë provuar që të pengojnë disa procese të cilat sipas tij janë qenë të dëmshme për vendin.

“Ne kundërshtuam Planin e Ahtisaarit, sepse donim Mitrovicë të bashkuar por nuk mundëm t’i ndalim në zullumin e tyre. E kundërshtuam decentralizimin në baza etnike. Ne kundërshtuam demarkacionin, Asociacionin, klientelizmin, monopolin… Vetëm qëllimet tona nuk i kemi ndryshuar”, ka thënë Kurti, njofton Klan Kosova.

“Sepse vetëm nuk e kemi tradhtuar popullin tonë të vuajtur e vendin tonë të dashur. Kundërshtuam Zajdenicën sepse deshën ta fusin Serbinë brenda. Vodhën në tenderë e licenca, spitale e shkolla e u bënë multimilionerë. Këta liderë nuk na duhen dhe nuk u besohet ta udhëheqin një biznes me dy veta e lërë më Qeverinë e popullin”.

“Këta që i kanë futur duart në magje të fukarenjve nuk duhet t’ua lëmë në dorë arkën e shtetit”.

Kurti ka thënë se koha e atyre që e kanë drejtuar shtetin deri tash ka mbaruar.

“Erdhi dita jonë. Erdhi dita e minatorit e punëtorit, nxënësit, studentit dhe profesorit, e grave e burrave. Më 6 tetor të rinj e të moshuar do të dalim në votime dhe do ta votojmë 126 dhe do ta hapim një kapitull të ri me faqe të bardhë për Republikën”.

“Të dashur qytetarë, kam menduar që vetëm PAN është kundër nesh, por nuk qenka ashtu sepse në panik nuk është vetëm PAN, por nuk kemi çfarë t’iu bëjmë. Ruajeni qetësinë, bëjeni punën, fitorja është e jona. Është koha të ndryshojmë. Është koha që më në fund të investojmë në edukim që i përgatit fëmijët tanë për ekonomi të zhvilluar. Është koha që ta ngjallim ekonominë dhe t’i punësojmë të rinjtë tanë. Nuk punon Trepça kur qindra miliona derdhen në asfalt”.

“Lëvizja e lëvizë Trepçën dhe Mitrovicën përpara. Erdhi dita për Trepçën. Nuk zhvillohet ekonomia duke futur në borxh shtetin. Ata që sot po bëjnë premtime të reja janë ata të vjetrit që na vodhën e na mashtruan. Me ta le të merret drejtësia e ne punojmë për të ardhmen”.

“Nuk mund ta privatizojmë pasurinë publike vetëm pse ka korrupsion. Me VV në Qeveri nuk do ta privatizojmë pasurinë. Do të bëjmë sistem shëndetësor të kompletuar që shëron të sëmurit me rritje të investimeve me 120 milionë euro. Do të ofrojmë 1000 bursa për vajza studente. Për komunat do të ndajmë grantin e katërt në vlerë prej 600 milionë euro në mandatin tonë të parë. Për sportin dhe kulturën do të ndahen 140 milionë për 4 vitet e ardhshme”.