Meta para komisionit Hetimor: Më 8 qershor do të digjej Kuvendi, ishte informacion sekret dhe i kualifikuar

Shpërndaje

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se ka pasur informacione nga institucionet e sigurisë se më 8 qershor kishte përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend.

Kujtojmë se pak orë para nisjes së protestës, Meta njoftoi shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, çka bëri që opozita e bashkuar të anuloj protestën dhe të ulte tensionet mes protestuesve dhe policisë.

Meta tha se një informacion sekret dhe i klasifikuar bënte me dije se persona të caktuar do të shfrytëzonin protestën e 8 qershorit për të djegur Kuvendin e Shqipërisë.

“Sigurisht, ky ishte një informacion i ri në këtë drejtim, por i besueshëm”, tha presidenti.

10.24-Presidenti Meta flet para Komisionit: Kuvendi e ka bërë gjykimin para nisjes së hetimit (Foto)

I thirrur nga Komisioni Hetimor Parlamentar për të dëshmuar për shfuqizimin e datës 30 qershorit dhe dekretimin e 13 tetorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, presidenti Meta ka pranuar të flasë dhe të shpjegoj vendimet e tij.

Ai tha se e shikon si detyrim që të flasë në lidhje me vendimet e marra dhe se nuk ka shkelur asnjë pikë të Kushtetutës, dhe se është aty për të respektuar institucionet.

Sipas Metës, kreu i shtetit duhet të japë shembullin e bashkëpunimit, e ka theksuar se të gjitha ankesat e tij për dekretet e zgjedhjeve janë bërë publike.

Presidenti gjithashtu tha se Kuvendi i Shqipërisë e ka bërë gjykimin e tij para se të nisë hetimi nga ky komision.

“Gjykova tepër të arsyeshme dhe të domosdoshme që të jem këtu, sepse kam bindje të plotë që çdo politikan, aq më tepër kryetari i shtetit duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve dhe të japë shembullin e bashkëpunimit por së dyti e jam i bindur që pavarësisht se Kuvendi e ka bërë gjykimin para e të nisë hetimin, përmes rezolutës, në interes edhe të transparencës edhe të ndriçimit të çështjeve që kanë të bëjnë me vendimmarrjen për të dhënë të dhëna të tjera që mendoj se u shërbejnë të gjithëve për tu qartësuar më shumë”- tha Meta.

10.00-Meta mbërrin në Kryesinë e Kuvendit

Pak minuta më parë Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit, ku pritet të dalë për të dëshmuar para Komisionit Hetimor Parlamentar.

Meta është shoqëruar nga zëdhënësi i tij, Tedi Blushi dhe këshilltarin e tij Bahri Shaqiri.

Presidenti preferoi ta përshkojë në këmbë rrugën nga Presidenca drejt Kryesisë së Kuvendit.

Ai pritet që t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve të Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve në lidhje me 2 dekretet 30 qershorin dhe 13 tetorin.