Nxënësit shqiptar nuk lejohen të mësojnë në shkollën qendrore në Idrizovë, do të ndërtohet objekt tjetër

Shpërndaje

Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Borçe Georgievski propozoi të ndërtohet objekt i ri shkollor në Njegosh. Tha se kjo zgjidhje do të jetë afatgjate, por pritet aprovimi i prindërve.

Institucionet u dhanë afat deri në gjysmë vjetor, e përshtypjet e para të prindërve janë të mira. Georgievski ka dalë me këtë qëndrim pas takimit me nënkryetarin dhe deputetin e LSDM-së, Muhamed Zeqiri, i cili merret vesh se është autor i zgjidhjes së gjetur.

Prindërit maqedonas ditë më parë dolën në protesta kundër hapjes së paraleles në gjuhën shqipe, duke u arsyetuar se mund të ndodhin probleme mes fëmijëve të tyre dhe fëmijëve shqiptarë.

Por ky reagim i tyre është cilësuar si skandaloz dhe urrejtës. Por prindërit shqiptarë thonë se nuk i çojnë fëmijët në fshatrat e tjera për të bërë dhjetëra kilometra, kur shkollën e kanë në derë të shtëpisë, dhe se gjysma e saj është e zbrazët, pasi që nuk ka nxënës.

“Ne nuk e kërkojmë që fëmijët tanë të shkojnë në fshatin Ognjancë, ne kërkojmë paralele në fshatin tonë, pasi aty janë kushtet, në ndërrimin e dytë shkolla është e zbrazët, por edhe në ndërrimin e para, kati i dytë është gjithmonë i zbrazët. Kushtet janë, të gjitha janë, por këtu është punë inati, punë nacionalizmi, puna pse të mësohet shqip, u pengon gjuha shqipe”, theksoi prindi Ridvan Seferi.

Sipas tij, nëse nuk bëhet kjo paralele do të ndërmarrim masa radikale me protesta para shkollës, bllokim të shkollës, bllokim të autostradës Shkup Veles dhe bllokimi i rrugës së vjetër Shkup Veles.

Kryetari i komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski dje shpalli vendimin për refuzimin e hapjes së paraleles për nxënësit shqiptarë, me arsyetimin se këtë vit është vonë dhe se nuk ka kushte të stafit mësimdhënës dhe kushte tjera përgatitore. Por kundër vendimit të tij ka reaguar ministri i arsimit, Arbër Ademi, duke thënë se çështja do të shtrohet në Qeveri.

Nga ana tjetër, ai nuk ka paralajmëruar se do tia marrë kompetencat kryetarit të komunës në sferën e arsimit. Fëmijët e Idrizovës mësimin e ndjekin në gjuhën amtare deri në klasën e pestë në shkollën e fshatit të tyre, ndërsa nga klasa e gjashtë nuk u mundësohet mësimi në gjuhën amtare, por ata duhet të udhëtojnë në fshatrat tjera, duke bërë mbi 30 kilometra në ditë.