Opozita shqiptare kërkon dorëheqjen e ministrit Ademi

Shpërndaje

Opozita shqiptare kërkon dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Arbër Ademi pas siç thonë, dështimit të hapjes së paraleles shqipe në komunën e Gazibabës. Nga Lëvizja BESA, thonë se mos hapja e paraleles shqipe në Idrizovë, rikthen ndjenjën e skenarëve të vjetra ku shqiptarëve u pamundësohej arsimi në gjuhën shqipe.

Ministri shqiptar i BDI-së, kur duhej që të vendosë ushtarë partiak në shkollat që gravitojnë në komunat që udhëhiqen nga opozita shqiptare si në Zhelinë apo Gostivar, ai nuk hezitoi që t’i marrë ingerencat pushtetit lokal nga këto komuna opozitare, ndërsa tash kur shkelen drejtpërdrejt interesat e shqiptarëve të Idrizovës, ministri Ademi në vend që të veprojë duke ia marrë kompetencat në arsim Komunës së Gazi Babës, ai tregon mos pasjen e fuqisë politike për të ndihmuar shqiptarët”-tha Blerim Sejdiu, Lëvizja BESA.

Në reagim me shkrim, nga Aleanca për shqiptarët kërkojnë që ministri Ademi të reflektojë sa më shpejtë që është e mundur dhe të japë dorëheqje.

Departamenti i arsimit pranë “Aleancës për Shqiptarët” fton ministrin e arsimit që është radha të reflektojë dhe sa më shpejtë të jap dorëheqje duke marrë parasysh skandalet që e kanë përcjellë këtë ministër dhe që përsëriten sot e kësaj dite. Veç një demagog i llojit të tillë pranon dhe vazhdon të qëndrojë ende në atë pozitë”-thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ka së paku dhjetë skandale të ministrit të Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, ndër të cilat theksojnë dështimin e depolitizimit në arsim, frikën e profesorëve që mund të largohen nga puna nëse nuk janë militant partiak, në vend të decentralizimit të arsimit marrjen e kompetencave në komunat opozitare shqiptare, për segregacion në shkolla, mosndërtimin e Universitetit “Nënë Tereza”, mos ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël, mungesën e librave të reja dhe të tjera.