PDK nuk e pastron listën, kandidatë për deputetë edhe njerëzit që kanë probleme me ligjin

Shpërndaje

PDK ka prezantuar listën e plotë të kandidatëve për deputetë e cila kryesohet nga kandidati për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli. E pikërisht Veseli tash e një kohë të gjatë ka vazhduar të flas për luftim të korrupsionit.

Ai madje kishte premtuar se edhe lista për deputetë do të jete e pastër, sipas tij në këtë listë nuk do të kenë vend njerëzit që kanë probleme me ligjin e që kanë aktakuza.

Mirëpo, ky premtim nuk është mbajtur. Në listën prej 110 kandidateve për deputetë figurojnë edhe emrat e personave që kanë aktakuza. Në këtë listë janë emrat e Xhavit Halitit dhe Rrustem Mustafës i njohur edhe si “Remi”.

Xhavit Haliti, që njëherazi është edhe kryetar i degës së PDK’në në qytetin e Pejës, ka të hapur një aktakuzë që kishte ndodhur si pasojë e një kontakti fizik me 18 maj të vitit 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Atë kohë kishte pasur një shtyerje mes Xhavit Halitit dhe deputetit të LDK’së, Arben Gashi.

Përpos tij, një aktakuzë për rastin e njëjtë është ngritur edhe kandidatit për deputetë nga radhët e AAK’së, Gani Dreshajt.

Në anën tjetër, Remi është një ish i burgosur për krime lufte. Në vitin 2013 ai ishte dënuar me katër vite burg, dënim që ishte konfirmuar edhe nga ana e Gjykatës së Apelit. Remi në vitin 2018 ishte dekoruar me Medaljen Presidenciale nga Presidenti Hashim Thaçi. Para shtatë muajve Rrustem Mustafa ishte thirrur si dëshmitar i dyshuar nga Gjykata Speciale.

Përveç këtyre dy emrave në listë të kandidatëve për deputetë janë edhe ish-ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota dhe nipi i Adem Grabovcit, Valon Grabovci.

Fehmi Mujota kishte qenë ministër në detyrë i Infrastrukturës në vitin 2014. Ai e kishte nënshkruar kontratën infamoze me Bechtel Enkan me datën 1 korrik të këtij muaji. Kontrata kishte vlerë prej 600 milionë eurove. Një qeveri në detyrë nuk ka kompetencë të nënshkruajë një kontratë 600 milionë euro, e cila e lë në obligime qeveritë e ardhshme. Kompetencat e qeverisë në detyrë janë përshkruar në një projekt-ligj për qeverinë, që kishte qenë i publikuar në ueb-faqen e kryeministrisë në atë kohë. Me nënshkrimin e kësaj kontrate 600 milionëshe, si dhe me kontratat e tjera që tashmë ishin në zbatim.

Ndërkohë nipi i Adem Grabovcit, Valoni, ishte amnistuar për një akuzë të armëmbajtjes pa leje. Rasti kishte të bënte me një vetëplagosje aksidentale të gruas së Adem Grabovcit. Ajo ishte plagosur me armën e Valon Grabovcit aksidentalisht, ndërsa arma ishte në pronësi të Valon Grabovcit. Ai ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje por u amnistua. Rasti ndaj tij ishte mbyllur. Aktakuza ndaj tij ishte ngritur me datën 28.06.2012./Gazeta Express/