Rexhep Hoti i PDK-së tha se nuk pa asgjë, ai shihet në videon e rrahjes mes Molliqajt e Abazit!

Shpërndaje

Zyrtari i PDK’së, Rexhep Hoti, kishte thënë se nuk ka parë asgjë, derisa kandidati i Vetëvendosjes, Haki Abazi, thoshte se është sulmuar fizikisht nga Dardan Molliqaj pas emisionit Pressing në T7. Videoja është publikuar sot, e aty shihet se Haki Abazi është sulmuar nga kandidati për deputet i kolaicionit AAK-PSD, Dardan Molliqaj, dhe shoqëruesi i tij, shkruan Gazeta Express. Në video shihet se gjatë gjithë kohës së përleshjes fizike ka qenë i pranishëm edhe Rexhep Hoti. Zyrtari i PDK’së ishte deklaruar për media se nuk ka qenë prezent kur ka ndodhur incidenti për të cilin fliste Abazi. Kandidati i Vetëvendosjes, pas debatit në Pressing, i cili u shoqërua me shumë polemika të ashpra, tha se është sulmuar fizikisht nga Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij. “Mas emisionin, në dalje e sipër dardani me atë rojën e tij, ose përcjellësin, kanë ardhë edhe janë përballë, në njëfarë forme, në kacafytje, e cila ka përfundu me një situatë të pakëndshme”, kishte thënë Abazi për Gazetën Express. “Unë kam qenë në dalje tu ecë jashtë korridorit bashkë me Rexhep Hotin. Kanë ardhë nga mrapa. Me zë kërcënues, mi kanë kap duart, njëri ma ka vënë dorën në qafë ”, kishte shpjeguar Abazi. Këtë e kishte mohuar vetë Molliqaj, i cili përmes një postimi në Facebook tha se “s’ka ndodhur asgjë”.