11-vjeçari shqiptar në mëshirë të fatit në kampin sirian, autoritetet asnjë reagim

Shpërndaje

Turqia ka dhënë afat deri të martën që kurdët të largohen nga e ashtuquajtura zona e sigurisë por lufta shpërtheu sërish dhe presidenti turk fajëson kurdët për mosrespektimin e marrëveshjes me Uashingtonin. Mes tyre gjendet Alvin i cili nuk i kupton paktet por rrëqethet nga bombardimet. Ai është vetëm 11 vjeç.

Gazetarët italianë të emisionit investigativ “Le iene” kanë bërë të mundur gjetjen e vogëlushit shqiptar Alvin Berisha në një kamp të burgosurish në verilindje të Sirisë i kontrolluar nga forcat kurde.

Vogëlushi shqiptar kërkohej nga babai i tij, Afrim Berisha që prej natës së 12 dhjetorit 2014 kur bashkëshortja e tij Valbona Berisha u largua nga Italia për t’ju bashkuar luftës së të ashtuquajturit shtetit islamik.

Çifti shqiptar, prindër të 3 fëmijëve, Alvin 6 vjeç e të dy vajzave më të rritura, jetonin në Itali prej vitit 1995. Hetimet e autoriteteve policore duke ndjekur lokalizimin e telefonit celular të Valbona Berishës, zbardhën rrugëtimin e saj deri në Siri.

Prej gati 5 vitesh Afrim Berisha është vënë në kërkim të djalit të tij, prej të cilit ka mundur të marrë vetëm një letër ku i shkruante se e kishte marrë malli shumë e donte të kthehej në shtëpi.

Gazetarët italianë kanë mundësuar pak ditë më parë udhëtimin e babait shqiptar në kampin Al-Hol të Sirisë, vendi ku mbahen të burgosur rreth 70 mijë persona, 90% e të cilëve janë gra e fëmijë.

Autoritetet kurde kanë informuar se Valbona Berisha ka mbetur viktimë gjatë bombardimeve të fundit në Siri ku ishte martuar me një xhihadist me të cilin kishte 3 fëmijë të tjerë. Ndërsa Alvin është gjallë e i vetëm në kamp. Ai jeton së bashku me fëmijët e tjerë jetimë dhe është plagosur në njërën këmbë që i vështirëson ecjen.

Duhet ndërhyrja e qeverisë shqiptare që ai të mund të bashkohet me familjen e tij.

Por deri tani nuk ka asnjë reagim dhe asnjë shpjegim për atë që i pengon zyrtarët të shpëtojnë vogëlushin nga bombat.