A mund ta përmbys opozita shqiptare BDI-në, siç bëri “Vetëvendosja” në Kosovë? (Video)

Shpërndaje

Pas fitores së Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kosovë, të shumtë janë komentuesit nëpër rrjetet sociale që kërkojnë një ndryshim i tillë të ndodhë edhe te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për shkak të dëshpërimit të madh që shfaqin nga BDI-ja. Megjithatë, një proces i tillë në Maqedoninë e Veriut është më i vështirë se në Kosovë. Këtë e tregojnë edhe sondazhet e fundit ku partia e Ali Ahmetit ende renditet e para, duke lënë pas partitë tjera shqiptare. Mungesa e mobilizimin të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut i krijon komoditet të madh BDI-së, e cila i ka fituar të gjitha ciklet zgjedhore që nga themelimi i saj në vitin 2002. Për dallim nga aktivitetet e shumta opozitare të “Vetëvendosjes” në Kosovës në të kaluarën, në Maqedoninë e Veriut reagimet e opozitës vijnë vetëm përmes disa komunikatave, një formë e vjetëruar e reagimit. Pavarësisht, padrejtësive, diskriminimit dhe problemeve të shumta të shqiptarëve, nuk ka pothuajse asnjë formë proteste tjetër. Edhe ato protesta që u organizuan pas publikimit të “bombave” nga El Cheka, nuk u mbështetën nga opozita shqiptare. Nuk janë të paktë qytetarët që e shprehin zhgënjimin e tyre nga kjo situatë. Revoltën e tij për mungesën e aktiviteteve të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut e ka shprehur edhe një banor i moshuar nga Tetova gjatë protestave të para që u organizuan pas publikimit të “bombave” të para nga El Cheka. “Ju bëj apel partive opozitare, mos të mendojnë do ta largojmë Alinë për të hyrë ata. Nuk kanë vota ata pa e përkrahur këtë popull”, ka thënë muaj më parë tetovari i cili po intervistohej për përmbajtjen e bisedave të përgjuara mes funksionarëve të BDI-së dhe fyrjet që në ato biseda dëgjoheshin ndaj tetovarëve.

VIDEO