Ahmeti kërkon nga Zaevi të mos japë dorëheqje

Shpërndaje

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka realizuar një takim me kryeministrin Zoran Zaev. Burime partiake thonë për Gazetën Lajm se temë kryesore e takimit ka qenë samiti i BE-së dhe mosmarrja e datës për fillim të negociatave për anëtarësim në BE. Të njëjtat burime theksojnë se Ahmeti ka kërkuar nga Zaev që të mos japë dorëheqje dhe qeveria në të njëjtën përbërje të vazhdojë me reformat. Të njëjtat burime demantojnë informacionin e Agjencisë italiane të lajmeve ANSA se Zaev ka dhënë dorëheqje. Sipas tyre, ka gjasë që vendimin përfundimtar –dorëheqje ose jo- Zaev të mos e tregojë sonte, por nesër. Pas vendimit për mos dhënin e datës për hapjen e negociatave me BE-në, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që vetëm nëpërmjet komunikatës të reagojë ndaj vendimit të Këshillit të Evropës. Në njoftimin e Qeverisë thuhet se kryeministri Zaev gjatë ditës ka zhvilluar konsultime brenda dhe jashtë shtetit për hapat e ardhshme të tij. Në kumtesën me shkrim nuk potencohet asgjë konkrete, por thuhet se vendimit që do të merren do të jenë në interes të vendit dhe qytetarëve. Nga ekzekutivi thonë se porositë që kanë marrë nga shumica e liderëve evropian kanë qenë pozitive për hapat që deri tani ka ndërmarrë Qeveria e Maqedonisë së Veriut në përmbushjen e reformave dhe mbylljen e çështjeve të hapura me fqinjët.