Ahmeti – Romeo: Evropa e bashkuar është opsioni ynë i vetëm

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, sot në zyrën e tij në Kuvend ka pritur ambasadorin Italian, Karlo Romeo.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan për situatën politike në Maqedoni e rajonit, vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe zgjedhjet e parakohshme.

“BDI ka insistuar që zgjedhjet e parakohshme mos ta dëmtojnë procesin e anëtarësimit në NATO dhe prandaj kemi propozuar mbajtjen e zgjedhjeve në pranverë e jo në dhjetor ose janar. Ratifikimi i protokollit për anëtarësim në NATO në Kuvendin tonë nuk duhet të vihet në pikëpyetje sepse anëtarësimi i vendit tonë në aleancën veriatlantike është prioritet absolut i BDI-së, shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve”, ka theksuar Ahmeti.

Ai e ka përshëndetur përkushtimin e të gjitha partive në vend për të vijuar rrugën e reformave dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ambasadori italian ka theksuar se vendi i tij ka pozitë të qartë dhe e mbështes tërësisht anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ahmeti falënderoi Italinë për ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO, mbështetjen për marrjen e datës për fillim të negociatave si dhe për deklaratat e fuqishme në përkrahje të rajonit tonë.

“Bashkimi Demokratik për Integrim do të vijojë përpjekjet për reforma edhe në periudhën para nesh duke u angazhuar për integrim konsensual, drejtësi joselektive, veting dhe transparencë të veprimtarisë publike, për jetesë cilësore, vende pune dhe përafrim të standardeve me Bashkimin Evropian që do t’i mundëson rinisë të ndërton të ardhmen e vendit”, ka shtuar Ahmeti.