Arrestohen tre zyrtarë policorë në veri të Kosovës

Shpërndaje

Policia e Kosovës ka zhvilluar të enjten një operacion në veri të Mitrovicës.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut tre zyrtarë policorë”, thuhet në komunikatën e Inpektoratit Policor.

Operacioni i sotëm, sipas komunikatës, që u zhvillua me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin “Kontrabanda”.

Arrestimi i tre të dyshuarve (një toger policor, një rreshter dhe një zyrtar policor) është realizuar me urdhëresë të Prokurorisë Speciale me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Të arrestuarit do të intervistohen nga hetuesit e Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim me prokurorin kompetent, sqaron komunikata.

Gjatë muajit maj, Policia e Kosovës kishte zhvilluar një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili kishte rezultuar me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve.