ASH-ja kritikon Teuta Arifin: “Ku janë autobusat e qytetit, shkolla në Reçicë të Vogël dhe në Sellcë…”

Shpërndaje

Aleanca për Shqiptarët reagoi lidhur me mandantin dyvjeçar te kryetares së komunës së Tetovës.”Sot po bëhen dy vite nga qeverisja e Teuta Arifit në krye të Komunës së Tetovës. Në këto dy vite qytetarët nuk panë asnjë zhvillim por vetëm dështim. Kryetarja e Komunës së Tetovës edhe një herë si qindra herë të tjera dështoi në mbatjen e premtimeve të saja. Institucioni i Komunës së Tetovës në vend që të mbrojë dhe plotësoj kërkesat e qytetarëve, ky institucion u politizua duke mbrojtur dhe plotësuar interesat personale të Teuta Arifit dhe bashkpartiakëve të saj. Transporti publik, është një ndër mashtrimet që u konfirmua vetë edhe nga administrata komunale.

Dy herë themeluan ‘Ndërrmarjen për Transport Publik’, dhe premtuan disa autobusë për qytetin, ndërsa deri më sot qytetarët e Tetovës nuk panë asnjë autobus në qytetin e tyre. Ndërsa, Komuna e Tetovës vazhdon dhe paguan pagë për ‘drejtorin’ e kësaj ndërrmarjeje. Shkollat Fillore në Reçicë të Vogël dhe në Sellcë, janë ende premtime të pambajtura nga ana e Teuta Arifit. Këtij premtimi të rrejshem, i erdhi në krah edhe Ministri i Kompentencave Arbër Ademi, e të dy sëbashku me Teuta Arifin mashtruan përsëri qytetarët e Tetovës. Ndërsa fëmijët e Reçicës së Vogël dhe Sellcës vazhdojnë të mësojnë në kushte të vështira.

Infrastruktura rrugore, as që u zgjerua por as që u rregullua nga ana e Komunës së Tetovës. Qytetarët e Tetovës vazhdojnë të përballen me gropa rrugore dhe rrugë mesjetare. ‘Ndërrmarja për Parkingje’ është zhytur në borxhe, dhe nuk ka asnjë detaj se si erdhi deri tek ky borxh. Ndërrmarja ‘NPK Tetova’ vazhdon të mos i paguaj punëtoret, që me djersën e tyre kujdesen për pastërtinë e qytetit. Ndërsa përveç pagës ato përballen edhe me mjete teknike të vjetërsuara të cilat datojnë nga koha ish-jugosllave.

Qentë endacakë, janë rreziku më i madh që i kanosen qytetarëve të Tetovës. Qytetarët dhe fëmijët, janë të rrezikuar nga ky fenomen, për të cilin deri më sot Komuna e Tetovës nuk ka marrë asnjë masë të vetme. Ndërsa në malin Sharr vazhdon gjenocidi ekologjik, duke i prerë drurët dhe duke ndërtuar hidrocentrale, ndërsa Komuna e Tetovës nuk ka asnjë reagim në lidhje me këtë fenomen. Ende vazhdon keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi i administratës komunale.

Tenderat publik shkojnë vetëm për grupet e interesit të tyre dhe asesi në favor të qytetarëve. Qytetarët nuk janë të informuar për borxhin e Komunës së Tetovës si dhe shpenzimet marramendëse personale që Teuta Arifi i bën në krah të taksapaguesëve tetovar. Këto dy vite që kaluan, dhe vitet të tjera do të jenë dështimi më i madh që kanë përjetuar në çdo aspekt qytetarët e Tetovës. Andaj Aleanca për Shqiptarët – dega Tetovë, vazhdimisht do të kritikoj dhe do të jetë zëri i vërtetë i qytetarëve të Tetovës, duke e mbrojtur qytetin dhe interesin e qytetarëve”, thuhet nga Aleanca për Shqiptarët – departamenti për Informim i degës Tetovë.