Bahtiri: Kurti e meriton të jetë Kryeministër 100 herë

Shpërndaje

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se fitorja e Albin Kurtit është gjëja më e mirë që ka ndodhur ndonjëherë pas Pavarësisë së Kosovës, njofton Klan Kosova.

Ai falënderoi të gjithë qytetarët për zgjedhje të lira, fer dhe pa asnjë problem si dhe të gjithë ata që përcaktuan ndryshimin, njofton Klan Kosova.

“Ky ndryshim është në të mirë të të gjithë qytetarëve dhe të gjithë atyre që kanë qenë në pushtet. Njerëzit që humbin, nuk kam dëshirë të flas për ta. Mendoj që PDK ka humbur thellësisht”.

“Ne ishim bashkë me Albinin mbrëmë ku edhe e festuam fitoren. Sigurisht kemi respekt për LDK-në, posaqërisht për Vjosën. Është një parti vërtetë shtet-formuese dhe ne nuk kemi asnjë problem me ta. Ne jemi të gatshëm të ulemi në tavolinë dhe të bisedojmë për një qeverisje të mirë e cila do të ndodhë së shpejti”.

“Ne synojmë tri ministri, atë të Punëve të Brendshme, të Drejtësisë dhe Financave. Për të tjerat bisedojmë dhe me ato merret Albini dhe kryesia. Unë jam një njeri parimor. Kurti e meriton të jetë Kryeministër jo një herë por 100 herë. Ai do të jetë për dy mandate pastaj populli do të çohet në këmbë për të tretën herë. Ai është një njeri vizionar dhe i di shumë mirë gjërat”.

Ndër të tjerash, Bahtiri shprehi keqardhje për Fatmir Limajn, partia e të cilit nuk ka mundësi të jetë në Qeveri pas zgjedhjeve.

“Më vjen keq për Fatmirin por gara është garë. Kjo është ajo që ka vendosur populli”.