Çeliku: Gjuhën shqipe në Maqedoni mundohen ta zyrtarizojnë ata që vetë nuk flasin mirë shqip

Shpërndaje

Dinjiteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut në vorbullën e interesave meskine politike

Shkruan: Arbër Çeliku

Është e turpshme, që edhe pas arritjes së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ende të flitet për përdorimin e gjuhës shqipe dhe të aktualizohet në vazhdimësi çështja, nëse shqiptarët janë nën apo mbi 20%. E turpshme është që Komisioni i Venedikut të dalë me revidime të tilla, që gjuha shqipe nuk e meriton atë pozitë minore në këtë shtet, i cili, në vazhdimësi, ka zbatuar politika diskriminuese ndaj etnive jomaqedonase, sidomos ndaj shqiptarëve. E turpshme është, që koncepti qytetar, i cili do të duhej t’i sheshonte nacionalizmat e së kaluarës, ta godasë kaq tinëzisht popullin shqiptar dhe gjuhën e tij në RMV. Po ashtu, e turpshme është, që një grup i mirë i të ashtuquajturve intelektualë shqiptarë (profesorë të së drejtës kushtetuese, gjuhëtarë, gazetarë dhe opinionistë), për interesa personale u vunë në shërbim të politikës ditore, duke kryer kështu një tradhti kombëtare të paprecedent.
Për hir të së vërtetës dhe formësimit të drejtë të opinionit publik, e kam të patjetërsueshme që t’i shtjelloj rishtazi çështjet e mëposhtme:

Është gjuha shqipe zyrtare apo jo në RMV?
Në diskursin tonë shoqëror lidhur me këtë çështje, ekzistojnë dy interpretime paralele: njëri juridik dhe tjetri politik, por që i pari e kundërshton prerazi të dytin. Gjeneza e këtij problemi duhet kërkuar në vitin 2001, kur u mbrujt dhe u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Sipas garantuesit të Marrëveshjes së Ohrit, ambasadorit James Pardew, i cili i ka shpalosur prapaskenat e asaj kohe në librin e tij: Peacemakers. American Leadership and the End of Genocide in the Balkans (2018), pavarësisht mbështetjes së faktorit ndërkombëtar atëbotë për dy çështjet kyçe siç kanë qenë: zyrtarizimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë dhe kontrolli i policisë të bëhet nga komunat, jo nga Ministria e Punëve të Brendshme siç është sot, Arbër Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), në çastin e fundit, u kishte pohuar Pardew-it dhe Leotard-it se “ai mund të pranonte një pozicion më të dobët të gjuhës shqipe dhe të hiqte dorë nga kërkesa për kontrollin e plotë mbi policinë lokale” (po aty, fq. 291). Në bashkëbisedim me James Pardew se përse ndodhi një gjë e tillë, as ai nuk kishte një përgjigje për të qenë. Megjithatë, me nënshkrimin e Marrëveshjes, u imponua edhe ndryshimi në Kushtetutën e 17 janarit të vitit 1992, e cila i kishte konturat e një kushtetute fashiste, ngaqë gjuha shqipe dhe gjuhët e tjera jomaqedonase ishin inekzistente. Amandamenti V e avanconte përdorimin e gjuhëve të “komuniteteve”: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen” (Amandamenti V, neni 1, pgf. 2, Kushtetuta e RM-së). Në interpretimin juridik gjithçka është e qartë, me ndryshimin kushtetues në nëntor të vitit 2001, zyrtarizohen gjuhët e komuniteteve, ku ata janë mbi 20% dhe, ngaqë shqiptarët, në më shumë komuna janë mbi 20%, gjuha shqipe de jure u bë zyrtare. Megjithatë, zyrtarizimi i gjuhës shqipe në nivel lokal u kthye në një entitet tregtimi për dy herë radhazi, në vitin 2008 dhe 2018, dhe ende nuk po gjen zbatimin e duhur, jo se ka ndonjë problem ligjor, por se vazhdon të manipulohet politikisht. Manipulimi nga politika shqiptare tashmë është kthyer në normalitet dhe, as që ia vlen barra qeranë, të trajtohet me këtë rast. E çuditshme është se si tani, kur LSDM-ja, pikërisht përmes konceptit qytetar, i cili e solli atë në pushtet, po ndërron kursin e politikëbërjes nga frika e humbjes së zgjedhjeve së ardhshme, duke iu vërsulur gjuhës shqipe, njëjtë si VMRO-ja në të kaluarën. Si rrjedhojë, shqipja vazhdon të mbetet në qorrsokak, aq më tepër, kur partia shqiptare në pushtet (BDI-ja), vazhdon me avazin e emërimit të drejtorëve jo në bazë të arritjeve profesonale, por në bazë të miqësisë dhe servilizmit. Kështu që, zyrtarizimi dhe zbatimi i gjuhës shqipe duhet të kalojë përmes një drejtori, i cili mezi kuptohet kur flet shqip, lëre kur ai do të duhet të zbatojë drejtshkrimin e duhur të saj, aq më tepër kur i njëjti pranë vetes po mbledh miqtë e vet nga të katra anët, nga të cilët, sidomos njëri, në emailat zyrtarë të komunikimit, foljen “kam” në vetën e parë në të tashmen, ende e shkruan “kamë”, kurse tjetri, sa ishte profesor, shitej për një çorbë dhe prodhoi disa albanologë allasoj, të cilët sot janë vënë në krye të zyrtarizimit të gjuhës shqipe në RMV.
Janë shqiptarët në RMV mbi apo nën 20%?
Hapja e një diskursi të tillë politik nuk është aspak i rastësishëm dhe nuk përbën risi. Këtë mund ta ilustroj me dy shembuj, që më kanë ndodhur mua personalisht gjatë një periudhe paraprake kohore prej 1-2 vjetësh. Në rastin e parë isha i ftuar në emisionin Click Plus të TV21, në të cilin duhej të diskutonim për Marrëveshjen e Prespës, duke qenë në një panel me një funksionar të lartë të BDI-së. Qëndrimet e mia kanë qenë gjithmonë në mbrojtje të gjuhës dhe identitetit kombëtar shqiptar në RMV. Duke u zënë ngushtë nga ngulmimi im, funksionari në fjalë ruhej të debatonte publikisht me mua, por pas emisionit më tha: “Përse merresh me këto gjëra të së shkuarës? Mëso nga unë, hesht, se ne, sipas statistikave të fundit, mezi jemi 16%”. Për një çast mendova se më bënin veshët: “Po, po, aq jemi”, vazhdoi të këmbëngulte ai. Ngaqë me Karakamishevën dhe Mickovskin kishin qenë për 3 vjet bashkë në Agjencinë për Akreditim dhe Evaluim, m’u duk i tepërt debati me të, sepse isha grindur me dhjetra herë për këtë çështje me ta. Në rastin e dytë, po ashtu më ra të udhëtoj drejt Vjenës me një zv-ministër të BDI-së dhe, ngaqë jemi kolegë pune dhe miq, u ulëm afër njëri-tjetrit në aeroplan. Siç duket, pasi i dinte qëndrimet e mia, më tha: “Shumë zhurmë je duke bërë. Ne me ligjet pozitive të Evropës, nuk e mbërrimë as 20%-shin në RMV”. Edhe pse ai jurist me profesion, u përpoqa t’ia sqaroja se regjistrimin e popullsisë e përcakton shtetësia, jo qëndrimi i përkohshëm në një vend të huaj, por ishte e kotë. Gjithashtu, u mundova t’i sjell shembuj, se pikërsht në atë Evropë, ka njerëz që gëzojnë të drejtën e dy venbanimeve dhe se u lejohet të votojnë në të dyja ato, përsëri kot. Atëbotë ambasador i SHBA-ve në Shkup, ishte Bejli, duke e marrë si shembull, se atij nuk mund t’i pengohet e drejta e regjistrimit në SHBA, për arsyen e thjeshtë se ai është qe 4 vjet në Maqedoni, por përsëri kot. Po ashtu u mundova ta bind se në botën globale njerëzit lëvizin për vende pune nga shteti në shtet, por askujt nuk mund t’i mohohet e drejta e regjistrimit në vendin e vet dhe se shtetësia e përcakton numrin e popullsisë, por ishte e kotë, dikush ia kishte mbushur mendjen se ligjet pozitive të Evropës e pengonin një gjë të tillë.
Megjithatë, ndonëse shumica bien në grackën që është e maskuar me ligjet e supozuara pozitive evropiane, shpesh edhe funksionarët partiakë, pak sosh e përdorin atë si gogolin: MOSNI SE DO TË DALIM NËN 20%, me synimin që të mund të vazhdojnë të qeverisin sipas qejfit të tyre si pasojë e mosinformimit tonë të duhur.
Dinjiteti njerëzor dhe ai kombëtar është i pacenueshëm si me ligjet pozitive evropiane ashtu edhe me Kushtetutën e RMV-së: “Republika ua garanton kombësive mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar” (neni 48, pgf. 2). Interpretimet e tjera janë të pastra politike, që ndryshojnë sipas interesit grupor, klanor a partiak. Popullit i bie të përzgjedhë, nëse ende do të vazhdojë të jetë kurban i politikës, apo do ta marrë fatin në duart e veta, siç e bënë vëllezërit tanë në Kosovë.