DASH: “SHBA e zhgënjyer me vendimin e BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”

Shpërndaje

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) reagoi pas vendimit të Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat, DASH tha se SHBA është e zhgënjyer që Këshilli i Europës në samitin dy ditor të tij nuk pranoi të hapë negociatat për pranimin e Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë.

Në deklaratë thuhet se një vendim pozitiv i BE-së do të riafirmonte besueshmërinë e këtyre vendeve drejt rrugës së integrimit.

DASH thekson se SHBA i përkrah aspiratat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe reformat e vazhdueshme për të mirën e qytetarëve të tyre dhe se SHBA do të mbeten partner strategjik i këtyre dy vendeve.

Këshilli Europian nuk arriti konsensus për të vendosur për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të kundërshtimit të fuqishëm të Francës.

Vendet anëtare të BE-së pritet të diskutojnë për këtë temë para samitit të Zagrebit, në maj të vitit të ardhshëm, por pa përcaktuar asgjë të qartë.

Reagimi i plotë:

Shtetet e Bashkuara mbështesin përkushtimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ndaj integrimit transatlantik dhe aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Jemi të zhgënjyer që Këshilli Europian nuk njohu përpjekjet shumë të forta për reforma të secilit vend me anë të një vendimi për të hapur negociatat për anëtarësim në këtë kohë. Një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së tyre për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Ne njohim faktin që Këshilli Europian nuk i tha “jo” as Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut, dhe as nuk përcaktoi kushte të reja për hapjen e negociatave për anëtarësim. Shpresojmë që Këshilli Europian do të arrijë konsensus për një vendim pozitiv për të dy vendet kohë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor verën tjetër.

Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë teksa vazhdojnë punën për të forcuar sundimin e ligjit, për të çuar përpara përpjekjet anti-korrupsion, për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të luftuar krimin e organizuar. I nxisim të dy vendet të mbeten të palëkundur në ndërtimin e shoqërive transparente, të bazuara në rregulla dhe demokratike që iu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë me partnerët europianë për të çuar përpara synimet e përbashkëta të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.