Deputetja Remenski suspendohet nga LSDM-ja, e ka “tradhtuar” celulari i Bokit 13?

Shpërndaje

Të dhënat që janë marrë pas përfundimit të ekspertizës së celularit të Bojan Jovanovskit, deputetes Frosina Remenski i kanë dhënë status si personi i dyshuar. Pas kësaj, nga LSDM-ja e suspenduan derisa nuk dëshmohet, siç thonë, pafajësia e saj.

“Veprojmë në mënyrë demokratike ashtu siç meritojnë qytetarët për të cilët ekzistojmë ne si parti dhe si politikanë, dhe kjo do të thotë sjellje të suspendimit të përkohshëm derisa dikush nuk e dëshmon pafajësinë e tij. Kështu, suspendimi nuk i jep mundësi që ta përdorë fuqinë e partisë as fuqinë e politikës gjatë dëshmimit të pafajësisë. Unë besoj në pafajësinë e saj, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Për Remenskin, e cila dje theksoi se nuk ndjehet fajtore dhe se pret që Prokuroria ta dëshmojë këtë, gjykatësi i procedurës paraprake i shqiptoi masë kujdesi. I është marrë pasaporta, ka ndalesë të dalë nga Shkupi dhe ka për detyrë të paraqitet në Gjykatë çdo javë. Në themelimin e Kuvendit të Lidhjes së Bokit 13, që u mbajt më 8 korrik të vitit 2017, Frosina Remenski u bëri thirrje afaristëve dhe sektorit privat, ta marrin pjesë në projektet e Lidhjes.

“Për të gjitha këto projekte që sot do të hyjnë në planin aksionar për punën e Lidhjes Ndërkombëtare, nevojitet bashkëpunim mes Lidhjes dhe Vetëqeverisjes lokale, komunave, institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike. Do të përsëris se baza e mirë për punën e Lidhjes Ndërkombëtare, gjë që e theksoi edhe kryetari, është nënshkrimi, nënshkrimi i ardhshëm i memorandumit për bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Maqedonisë në emër të të gjitha ministrive pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. E përkrahim komunitetin e biznesit, përkatësisht sektorin privat të marrin pjesë në këto projekte”, tha Frosina Remenski.

Masë kujdesi i është shqiptuar edhe babait të Bokit 13, Mile Jovanovskit, kurse Jasna Mandiq mori paraburgim shtëpiak. Prokurorja Villma Ruskoska, pas dëshmisë së Mandiqit në Gjykatë Penale, tha se ka “dëshmi të rëndësishme” për aktakuzën për “Reket”. Mes të tjerash Ruskoska zbuloi se një prej të dyshuarve ka kërkuar marrëveshje për pjesën e parë të hetimit për rastin në fjalë.
Ndryshe, Bojan Jovanovski është në paraburgim në burgun e “Shutkës”, kurse Mileski gjendet në paraburgim shtëpiak. Ish-kryeprokurorja speciale Katica Janeva është në paraburgim, kurse dje ishte dërguar në klinikën “Zhan Mitrev” për kontroll, si pacient në gjendje të dyshimtë para infarktit./tv21