Gold AG ka disa fjalë për rastin Dehari

Shpërndaje

Reperi i njohur shqiptar, Arian Agushi – Gold AG, është mjaft aktiv dhe i ndjekur në rrjetet sociale.

I njëjti ndan postime të ndryshme me ndjekësit e tij, derisa shpesh komenton ngjarjet e fundit që ndodhin në vendin tonë.

Së fundmi, ai ka komentuar konstatimet e raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, ku sipas familjarëve dhe avokatit Tomë Gashi, u tha se Astrit Dehari është vrarë.

Përmes një postimi të hedhur në rrjetin social, Instagram, Gold AG e publikon të bijën e Deharit, të cilën e krahason me nënën e tij – e cila po ashtu është rritur pa baba.

“Kur e shoh vajzën e Astritit që nuk e pa babin asnjëherë, më shkon mendja te nëna ime që lindi e jetoi pa e parë kurrë babën e vet. Por nënës time ju vra baba si ushtar i Shaban Polluzhës kur u zunë të gjallë dhe i nisën për Serbi, në atë kohë nëna ime ende nuk kish lindur dhe kurrë nuk e shijoi ngrohtësinë e babës e as të nanës”.

“Kjo vajzë e vogël me të njejtin fat në ditët e sotme është turpi më i madh që mund të ndodhë.Duam drejtësi për Astritin nëse mendojmë se kemi shtet dhe gjërat nga ajo kohë kanë ndryshuar”, ka shkruar mes të tjerash Ariani në imazhin e tij.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se bazuar në të gjeturat e raportit nga instituti zviceran për rastin Dehari, Prokuroria do të vazhdoj me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, ku do t’i dëgjoj edhe ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë, si dhe ekspertët e Insitutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, për sqarimin e raporteve të tyre dhe nëse është e domosdoshme do të bëhet një super-ekspertizë jashtë vendit në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të sqarohen rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes.