HUMBJA NUK ËSHTË OPSION

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Betejat e pakuptimta mes partive politike, të tyre dhe të huaja, i kanë lënë shqiptarët në margjina të pushtetit në Maqedoninë Veriore.

Pyetja hipotetike që sot mund t’u bëhet shqiptarëve, në një distancë kohore prej 20-30 vjetësh, se për cilën parti politike do të votonin shqiptarët e Maqedonisë Veriore në zgjedhjet e ardhshme: për PPD-në, PDSH-në, apo ndonjë parti tjetër, sigurisht do ta zbërthente qartë mashtrimin e madh dhe këtë fenomen tragjikomik.

Para shumë vitesh janë derdhur shumë energji dhe para, është humbur kohë e gjatë, duke u përçarë shqiptarët mes vete si mos më keq, se cilën parti do ta votonin shqiptarët në Maqedoni, PPD ose PDSH, dy partitë e tyre politike më të mëdha deri në vitin 2001, ndërkohë që forcat politike të bllokut maqedonas në këtë shtet, me strategji të përbashkët e kanë ndërtuar shtetin e tyre njëkombësh, me ushtri, polici, diplomaci dhe të gjitha institucionet e nevojshme, nga viti 1991, 2001 e më vonë, duke i hedhur shqiptarët në periferi dhe margjina të proceseve të shtetndërtimit, edhe pse shqiptarët në këtë shtet janë popull autokton, përbëjnë shumicë me afër 40% të popullsisë dhe nga viti 1974 kanë qenë popull shtetformues, me kushtetutën e këtij vendi dhe të federatës së përbashkët nën ish Jugosllavi.

Sot, shqiptarëve ky manipulim sigurisht u duket i papranueshëm, tepër naiv dhe me pasoja tragjike. Po kështu do të mendojnë pas disa viteve edhe anëtarët fanatikë dhe përkrahësit naivë të partive të sotme politike të shqiptarëve, në garën e tyre për pushtet, pa e ndryshuar me asgjë statusin dhe gjendjen e popullit shqiptar, të cilin janë zotuar ta përfaqësojnë.

Shqiptarët duhet të votojnë për lirinë, të drejtat dhe barazinë e tyre në këtë shtet, ndërsa partitë politike duhet t’i kuptojnë dhe mund t’i përdorin vetëm si mekanizëm ligjor e demokratik për arritjen e këtyre qëllimeve, jo të ndarë e përçarë në klane partiake dhe grupe interesi, pa vizion, pa qëllime dhe trategji të përbashkët në nivel kombëtar.

Fatkeqësia më e madhe e shqiptarëve gjatë periudhës së pluralizmit dhe tranzicionit ka qenë ndarja pa koncept në tabore partiake, kinse të pozitës dhe të opozitës, pa analizuar se të dy taborët mund të jenë në vijë të gabuar, jashtë nevojave të domosdoshme, synimeve historike të shqiptarëve, rrjedhave normale në procesin e transformimit demokratik të shoqërisë, ndërtimit të shtetit të përbashkët të shqiptarëve dhe të tjerëve, Republikës së Maqedonisë Veriore.

Shqiptarët në Maqedoni e kanë përjetuar më së keqi këtë proces, duke u manipuluar nga strukturat udhëheqëse të partive politike të tyre, të partive të bllokut maqedonas, përmes organeve të sigurimit shtetëror dhe të mediave të pushtetit. Këtë mashtrim me pasoja të rënda, përçarje, ndasi, konflikte dhe përplasje të vazhdueshme mes klaneve partiake dhe grupeve të interesit, për interesa personale, grupore dhe familjare, e kanë dëmtuar rëndë interesin e përgjithshëm dhe çështjen kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.

Nëse sot, pas 20-30 vjetësh i pyet anëtarët fanatikë të partive të para politike të shqiptarëve në Maqedoni, PPD, PDP, ose PDSH, në emër të të cilave janë përplasur, hidhëruar dhe përçarë mes vete edhe anëtarë të familjeve të ngushta, miq e shokë, sigurisht që do t’u ndalet fryma për të dhënë përgjigje të saktë, sepse rezultatet në këtë distancë kohore shihet që janë tepër negative, kurse vetë ata kanë qenë të mashtruar, të manipuluar keq dhe humbës të betejave politike dhe kombëtare që nuk mund të rikthehen me asnjë çmim.

Kështu është puna edhe me partitë politike të cilat aktualisht janë në skenën politike në Maqedoni dhe që e luajnë rolin e pozitës dhe opozitës, ndërsa rrethanat aktuale më së paku lejojnë përsëritjen e gabimeve të mëparshme të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët mund të kenë fituar gjithçka në këto tri dekadat e fundit të demokracisë dhe tranzicionit, por jo edhe shtetin (e kanë pranuar statusin poshtërues të pakicës kombëtare), lirinë dhe barazinë e tyre kombëtare që e meritojnë.

Prandaj, shqiptarët në Maqedoni, përderisa nuk janë të aftë dhe të gatshëm të krijojnë organe dhe trupa me interes të përbashkët, së paku një këshill koordinues të partive politike të tyre, me kompetenca të posaçme, edhe gjatë kohë partitë politike dhe drejtuesit e tyre do të manipulojnë me anëtarësinë, interesin e përgjithshëm, përfaqësimin e qytetarëve (votuesve) dhe të drejtat kolektive të shqiptarëve në këtë shtet.