Komisioni i Venecias, kjo është profesoresha maqedonase që është anëtare e tij

Shpërndaje

Këtyre ditëve dolën dokumente jozyrtare të Komisionit të Venecias që kontestojnë dispozita të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që ka të bëjë kryesisht me gjuhën shqipe. Mendimi i ekspertëve të Komisionit të Venecias është i klasifikuar deri në miratimin nga Komisioni kur bëhet edhe zyrtar. Por askush nuk jep llogari se nga doli ky dokument dhe se të kujt janë mendimet që janë dhënë, nënvizon INA. Si anëtare e Komisionit të Venecias është profesoresha universitare Tanja Karakamisheva, e njohur me qëndrimet kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve, por edhe pretendimet e saj se shqiptarët përbëjnë nën 17 për qind në Maqedoninë e Veriut. Njohës të zhvillimeve politike thonë për INA se pikërisht këta individë mund të japin dhe imponojnë mendimet e tyre tek kolegët e Komisionit. Nga ana tjetër, vlerësimet e Komisionit të Venecias janë këshilldhënëse, dhe nuk janë obligative për tu zbatuar, mirëpo Ministria e Drejtësisë dje deklaroi se pas miratimit të vlerësimeve nga Komisioni i Venecias, do të fillojë zbatimi i tyre. Qeveria e Maqedonisë së Veriut është dërguese e ligjit në Komisionit e Venecias për vlerësim. Komisioni i Venecias, sipas një version jozyrtar të publikuar në media, ka vlerësuar se në disa fusha Ligji për përdorimin e gjuhëve shkon shumë larg duke imponuar detyrime juridike joreale ndaj institucioneve publike. Komisioni në fjalë rekomandon: Të hiqet dorë nga dispozitat në lidhje me dygjuhësinë në procedurat gjyqësore dhe të zbatohet në mënyrë efikase ligji i gjuhëve i vitit 2008; Të rishikohet – të kufizohet sasia e komunikimit zyrtar brenda dhe ndërinstitucional deri sa zbatimi i drejtë nuk duket real; të shtyhet zbatimi i sansioneve në para deri në ndryshimin e ligjit dhe të sigurohet ulje e dënimeve; Të futet edhe elementi i gabimit dhe principi i proporcionalitetit, etj.