Kryeministri i Etiopisë fiton Çmimin Nobel për Paqe

Shpërndaje

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe për këtë vit.

Komiteti norvegjez i Nobelit ka vendosur t’i ndajë Ahmedit këtë çmim për përpjekjet e tij që të arrijë paqe dhe bashkëpunim ndërkombëtar si dhe për inciativën e tij që të zgjidhë konfliktin me shtetin fqinj, Eritrenë.

Gjatë javës Nobeli është ndarë edhe në kategoritë tjera.

Një ditë më parë Akademia suedeze e Shkencave shpërbleu me Çmimin Nobel për Letrësi autoren polake, Olga Tokarczuk, dhe autorin austriak, Peter Handke.

Çmimi për Tokarczukun i takon vitit 2018, ndërsa për Handken këtij viti.

Organizata amerikane Pen, e cila mbron lirinë e shprehjes dhe promovon letërsinë, tha se zgjedhja e Komitetit të Nobelit për laureat të çmimit në letërsi për këtë vit është për keqardhje.

Kjo pasi, Handke, njihet edhe figurë kundërthënëse, për shkak të mbështetjes së tij për politikat e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq.

Akademia suedeze ndau sivjet dy çmime në letërsi, pasi vitin e kaluar është anuluar për shkak të një skandali seksual.

Akademia Suedeze në Stokholm ka bërë ndryshime të jurisë, duke emëruar anëtarë të rinj pas situatës së vitit të kaluar, që kishte përfshirë shkelje siç është konflikti i interesit dhe ngacmimet seksuale.

Burri i anëtares së Akademisë, Katarina Frostenson është dënuar me 2 vjet e gjysme burgim pasi është dënuar për dhunim.

Frostenson më pas është larguar nga akademia.

Çmimin Nobel për mjekësi e fituan tre shkencëtarë

Nobeli në Fizikë u ndahet tre shkencëtarëve për zbulime kozmike​

Çmimi Nobel për Kimi ndahet për punën në bateritë rimbushëse​

Këto çmime, secili në vlerë të 908,000, dollarëve, do të prezantohen më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Nobelit./REL