Kryeministri i Holandës: Jam më i shqetësuar për Shqipërinë se sa Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

Në pritje të vendimit përfundimtar për negociatat, liderët e vendeve të Bashkimit Europian nuk kanë ende një dakordësi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Qëndrimi i Francës mbetet i pandryshuar, ndërsa Holanda dhe Danimarka janë skeptike.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, e konsideroi zhgënjyes këtë qëndrim, duke thënë se “nuk arritëm konsensus sepse tre shtete nuk pranuan që të fillojnë negociatat për dy vendet”.

Kryeministri holandez Mark Rutte deklaroi se nuk është momenti i përshtatshëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai u tha gazetarëve në Bruksel se është më i shqetësuar për Shqipërinë se sa për Maqedoninë, raporton “Euobserver”.

“Patëm bisedime të gjata për sistemin e pranimit në BE. Duhet ta ndryshojmë këtë sistem”, u shpreh Kryeministri i Holandës, duke mbështetur idenë e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron. Ky i fundit kërkon që të ndryshojnë rregullat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në takimin e zhvilluar mbrëmjen e së enjtes, liderët e vendeve të BE nuk arritën një marrëveshje për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. /tvklan.al