LAJMI I FUNDIT / BE-ja e shtyu për në maj diskutimin për datën me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Shpërndaje

Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe Shqipëria kanë dështuar të marrin datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE) në muajin tetor. Në konferencë për media e cila është duke u zhvilluar tash, kryetari i Këshillit të BE-së, Donald Tusk ka thënë se vendimi është shtyrë për në maj të 2020-s.
Tusk bëri të ditur se temës së datës, liderët do t’i rikthehen në Samitin e Zagrebit, në maj të 2020-s.

“Shumica e shteteve ishin për hapje të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në takimin e mbrëmshëm të liderëve, por nuk kishte unanimitet, ndërsa këto çështje kërkojnë unanimitet. Andaj, kësaj çështje do ti rikthehemi para Samitit në Zagreb, në maj të vitit 2020”, tha Tusk.

Duke folur më tej, Tusk ka vlerësuar se BE-ja ka bërë gabim, dhe se RMV-ja dhe Shqipëria nuk kanë faj në këtë rast.

“Dua të jem shumë i qartë, Maqedonia dhe Shqipëria nuk kanë faj si dhe raportet e Komisionit Evropian ishin shumë të qarta se të dy vendet i kanë bërë detyrat që ju kërkoheshin. Marrëveshja e Prespës ishte arritje shumë e madhe. Të dy vendet kanë të drejtë të fillojnë negociatat aderuese që sot. Këto vende janë të gatshme, por fatkeqësisht disa vende nuk janë të gatshme. Prndaj dhe nuk u morëm vesh. Personalisht mendoj që ky ishte një gabim”, tha Tusk.

Ai tha se e kupton plotësisht frustracionin e qytetarëve të Maqedonisë dhe Shqipërisë.

“Por mos u dorëzoheni! Ju e bëtë punën tuaj ndërsa ne jo. Bashkimi Evropianë është një institucion kompleks dhe ndonjëherë shkon shumë kohë për të marrë vendime. Por, jam i bindur se një ditë do të bëheni anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian”, tha më tej Tusk./portalb