Loja politike e LSDM-së dhe partitë shqiptare të pozitës dhe opozitës

Shpërndaje

Në këtë shtet dhe sidomos në radhët e shqiptarëve as djalli nuk e merr vesh se kush i takon pozitës dhe kush opozitës, apo opozitës së opozitës!

Grupimi i shqiptarëve në radhët e LSDM-së po shndërrohet në opozitë të vërtetë të partive shqiptare, të pozitës dhe opozitës!

Përderisa drejtuesit dhe tifozët e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni përpiqen të aktrojnë skenat e fundit të tragjikomedisë politike pozitë-opozitë, ndërsa partitë e opozitës bëjnë planet përmes sondazheve dhe numrave se si do të dukej përbërja e ekipit të tyre me shpresë për sigurimin e fitores në zgjedhjet parlamantere të radhës, askush nuk mban llogari si dhe sa po forcohet krahu i shqiptarëve në LSDM, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare supozohet se ka fituar afër 1/3 e votave të përgjithshme të qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.

Duke u menduar të bashkohet opozita shqiptare, assesi edhe pozita me opozitën mes vete, dita-ditës po rritet numri i shqiptarëve që mund ta përkrahin edhe kësaj radhe LSDM-në në zgjedhjet parlamentare në muajin prill të vitit të ardhshëm. Me këtë, ky formacion partiak po shndërrohet në opozitë të vërtetë të partive politike të shqiptarëve, të pozitës edhe opozitës, të cilat dalëngadalë LSDM mund t’i pensionojë politikisht të gjitha së bashku.

Shumica e funksionarëve të lartë të partive politike të shqiptare i kanë rreshtuar me kohë disa nga të afërmit e familjeve të tyre në LSDM, ndërsa vajtojnë ditenatë kinse i mbrojnë interesat e popullit shqiptar në këtë shtet, një falsitet që mund t’ua gërvishë lehtë edhe hulumtimi më i përciptë i ndonjë gazetari hulumtues apo mediumi.

Në anën tjetër, se për çfarë pozite dhe opozite politike bëhet fjalë ndër shqiptarët në Maqedoni mjafton të hulumtohen shumë raste të farefisnisë së ngushtë mes disa funksionarëve dhe drejtuesve të këtyre partive, të pozitës dhe opozitës. Çfarë opozite mund të aktrojë motra ndaj motrës, vëllai ndaj vëllait, kunati ndaj dhëndrit apo anasjelltas, shoku ndaj shokut dhe mikut, partnerët e bizneseve mes njëri-tjetrit, agjentët dhe bashkëpunëtorët e shërbimit të njëjtë?!

Këtë gjellë politike pa krypë e pa shije mund ta hanë vetëm disa shqiptarë në Maqedoni, duke u falënderuar mediave në shërbim të pushtetit, mungesës së gazetarisë hulumtuese dhe lirisë së fjalës e mendimit ndryshe, të ngulfatur qëmoti në këtë shtet.