Meta: Albin Kurti, një personalitet i fuqishëm politik

Shpërndaje

Presidenti Meta ka komentuar sot rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë duke shprehur konsiderata të larta për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, fituesin e këtyre zgjedhjeve.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetarja; Zoti Meta, meqë jemi te momentet e fundit disa komente për zgjedhjet në Kosovë. Jeni shprehur se ju ka surprizuar fitorja e Albin Kurtit. Përse?

Presidenti Meta: Më surprizoi, për arsye sepse partia e tij pësoi një goditje të fort në publik, që ishte largimi i gati më shumë se gjysmës së deputetëve.

Në rast se për shembull nuk do të kishte ndodhur një gjë e tillë, me atë momentum që kishte krijuar Vetëvendosja ndoshta tani do të kishte pasur një rezultat shumë herë më të mirë. Dhe duke patur në konsideratë një goditje kaq të fortë dhe duke qenë se nuk është se mund ta njoh aq mirë situatën në Kosovë, po flasim për aspektin politik apo elektoral si në Shqipëri, kam patur gjithmonë një ide që kjo nuk ka qenë një goditje e lehtë për t’u rikuperuar, por fakti që ai ka dalë ose Vetëvendosja ka dalë forcë e parë politike tregon që ai është një personalitet shumë i fuqishëm politik. Kjo fitore është qartazi një vepër le të themi e tij kryesisht.

Gazetarja: Çfarë marrëdhëniesh keni ju personalisht me Albin Kurtin?

Presidenti Meta: Marrëdhënie tepër korrekte dhe tepër interesante, sepse ai është tepër interesant kur bisedon me të.

Gazetarja: Si mendoni se do të ndryshojnë marrëdhëniet midis Tiranës dhe Prishtinës me këto ndryshime politike atje?

Presidenti Meta: Marrëdhëniet midis Tiranës dhe Prishtinës duhet të jeni marrëdhënie partneriteti. Këtë e kam thënë që në vitin 2000 kur kam qenë Kryeministër dhe kam vizituar Kosovën, jo paternalizmi. Aq më tepër që ne nuk jemi më në gjendje sot që të japim mend në Kosovë, t’u japim mend për zgjedhje, t’u japim mend për demokraci, t’u japim mend sesi tejkalohen krizat apo ngërçet politike.

Apo t’u japim mend dhe për futboll, sepse janë shumë më mirë sesa ne për momentin, për më tepër që edhe ato arritjet dhe sukseset që ne patëm i dedikohen shumë kontributit të futbollistëve nga Kosova për Kombëtaren e Shqipërisë. Kështu që marrëdhëniet duhet të jenë të hapura, duhet të jenë konstruktive.

Shqipëria nuk ka punë me dialogun e Kosovës me Serbinë, kjo është një përgjegjësi ekskluzive e gjithë udhëheqësve të Kosovës. Detyra jonë është që ta mbështesim këtë dialog, t’u kërkojmë atyre që të unifikohen më njëri-tjetrin, të koordinohen sa më mirë me partnerët kryesorë, me Shtetet e Bashkuara, me Gjermaninë, me Britaninë e Madhe, me vendet që kanë investuar më shumë për stabilitetin dhe sigurinë e këtij rajoni, por edhe për pavarësinë e Kosovës.

Gazetarja: Ju mendoni se ideja e korrigjimit të kufijve është një ide e mbyllur me ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë?

Presidenti Meta: Unë nuk dëshiroj të komentojë çështjet e dialogut Kosovë-Shqipëri dhe nuk kam ndërhyrë asnjëherë në këto çështje. Ua kam bërë të gjithëve të qartë qëndrimin tim, si përfaqësuesve të institucioneve, si përfaqësuesve të opozitës kur ka qenë dhe zoti Kurti në opozitë, edhe zoti Mustafa, që ju duhet të bashkoheni në një qëndrim, t’i jepni një zgjidhje çështjes së dialogut dhe të finalizimit të marrëveshjes me Serbinë, dhe kjo është një përgjegjësi e tyre, nuk mund të jetë një përgjegjësi e jona. Ata janë votuar për të zgjidhur problemet e Kosovës. Detyra jonë është t’i mbështesim që t’i zgjidhin sa më mirë.