Milionat që Devollët ua morën kosovarëve nga monopoli mbi homologimin e veturave të reja

Shpërndaje

Ishte viti 2008 kur dy vëllezër nga Peja, Blerim dhe Shkëlqim Devolli themeluan Qendrën e Automjeteve të Kosovës, “Eurolab”. Në fund të atij viti, kompania e tyre do ta merrte me lehtësi monopolin në fushën e homologimit të automjeteve të transportit rrugor, që do t’u sillte atyre miliona euro në llogari.

E drejta ekskluzive e plaçkitjes së qytetarëve të Kosovës në këtë mënyrë, vëllezërve Devolli iu dha nga ministri i atëhershëm i Transportit, Fatmir Limaj dhe zëvendësi i tij, Adem Grabovci. Ky i fundit, nga përgjimet e publikuara më vonë dëgjohej duke i kërkuar drejtorit të kompanisë “Devolli”, Shkëlqimit, që ‘t’ia lagte fytin’. “U bo shef. Qe po t’i çoj”, i përgjigjej Shkëlqim Devolli.

Për 10 vjet, ‘fyti’ i Devollëve ua ka ‘ngrënë’ rreth 30 milionë euro qytetarëve të Kosovës vetëm nga homologimi i automjeteve, shkruan Gazeta Sinjali.

Të hënën, Ministria e Infrastrukturës e ka anuluar vendimin për homologimin e automjeteve të reja të cilat janë prodhuar në tregun e Bashkimit Evropian. Kjo, sipas ministrisë, është fillimi i liberalizimit të homologimit të veturave në Kosovë.

Megjithatë, ndërprerja e homologimit të veturave të reja është vetëm pak fitim minus për vëllezërit nga Peja. Ata vazhdojnë ta mbajnë monopolin mbi homologimin e të gjitha automjeteve tjera të transportit rrugor. Për çdo automjet që hyn në Kosovë, qytetarët detyrohen të paguajnë 125 euro në kompaninë e Devollëve. Kushdo që dëshiron ta ndërrojë ngjyrën e automjetit, ta vendosë një reklamë sado të vogël në automjet, ta ndërrojë një pjesë sado të vogël të veturës, duhet t’ua paguajë Devollëve shumën minimale prej 50 eurosh.

Deri të hënën, qytetarët është dashur të paguajnë 125 euro edhe për secilën veturë të re që do ta fusnin në Kosovë.

Fitimi

Sipas statistikave që Gazeta Sinjali i ka siguruar nga Dogana e Kosovës, 17 mijë e 522 vetura të reja kanë hyrë në Kosovë që nga viti 2008. Vetëm prej tyre, Devollët i kanë arkëtuar 2 milionë e 190 mijë e 250 euro.

Në vitin 2009 janë importuar 320 vetura të reja = 40,000 euro;

Në vitin 2010 janë importuar 369 vetura të reja = 46,125 euro;

Në vitin 2011 janë importuar 1,013 vetura të reja = 126,625 euro;

Në vitin 2012 janë importuar 1,253 vetura të reja = 156,625 euro;

Në vitin 2013 janë importuar 1,245 vetura të reja = 155,625 euro;

Në vitin 2014 janë importuar 1,103 vetura të reja = 137,875 euro;

Në vitin 2015 janë importuar 1,309 vetura të reja = 163,625 euro;

Në vitin 2016 janë importuar 2,346 vetura të reja = 293,250 euro;

Në vitin 2017 janë importuar 2,887 vetura të reja = 360,875 euro;

Në vitin 2018 janë importuar 3,400 vetura të reja = 425,000 euro;

Në vitin 2019 (deri në ditën kur u ndërpre monopoli për veturat e reja) janë importuar 2,877 vetura të reja = 359,625 euro.

I tërë ky fitim nga veturat e reja për një kompani të vetme vlerësohej i papranueshëm nga zyrtarë ndërkombëtarë dhe ata të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Derisa milionat e Devollëve rriteshin me hov, rritej poashtu vështirësia që ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ta kuptonte logjikën e homologimit të veturave të reja.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provoj ta kuptoj logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë se në të gjithë BE-në??”, kishte shkruar Heldt në Twitter.

Sipas përshkrimit të Devollëve në web-faqen e “Eurolab”, kjo Qendër e Automjeteve është “si dorë e zgjatur e Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit”.

Monopoli në homologimin e veturave daton që nga fundi i vitit 2008, kur Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit kishte nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë “Eurolab” për homologimin e automjeteve që regjistrohen për herë të parë në Kosovë.

Homologimi i automjeteve të transportit rrugor është vetëm një nga fushat ku Blerim dhe Shkëlqim Devolli sundojnë të paprekshëm në Kosovë. /Gazeta Sinjali/