“Mini shengeni” ballkanik, Kurti i përgjigjet Ramës

Shpërndaje

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se se në takimet me të dërguarin presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi është diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje brenda disa muajsh.

Por, ai tërheq vërejtjen se perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet kur afati kohor vihet përpara përmbajtjes.

Kurti thotë se projekti për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar por ideja ende nuk ka vdekur dhe se qeveria e tij do t’i jap fund asaj.

Po ashtu ai ka komentuar për herë të parë dhe Shengenin Ballkanik, ku morën pjesë tre vende: Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa kryeministri shqiptar e ka cilësuar një arritje të madhe.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti të enjten në Novi Sad presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, nënshkruan një deklaratë për atë që ata e kanë quajtur si një “mini shengen” ballkanik. Si e shini ju një deklaratë të tillë dhe mungesën e Kosovës këtu?

Albin Kurti: Në njëfarë mënyre të tria këto vende tashmë e kanë lirinë e lëvizjes e kanë liberalizimin e vizave, këtu çështja është që Kosova ta fitojë këtë gjë. Unë jam i bindur që për liberalizimin e vizave të Kosovës thelbësore është Prokuroria Speciale, pra liberalizimin e vizave nuk do ta sjellë qeveria e re por aktiviteti i ri i Prokurorisë Speciale atëherë kur ajo do të jetë e çliruar prej ekzekutivit. Unë synoj që të takohem me qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe të shohim më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë, por mendoj që në të gjitha këto iniciativa është tejet e rëndësishme që Kosova të jetë gjithnjë e pranishme, e përfaqësuar, të marrë pjesë, sepse Serbia duhet të shihet me sytë e Kosovës nga Tirana zyrtare./ Opinion.al