Mosmarrja e datës së BE-së, u konfirmua ora dhe prania e liderëve te Pendarovski

Shpërndaje

Pasi Maqedonia e Veriut ka dështuar të marrë datën për nisjen e negociatave me BE-në presidenti i vendit, Stevo Pendarovski caktoi takim të liderëve të partive më të mëdha në vend, njofton Portalb.mk.

Takimi do të mbahet të dielën (20 tetor 2019) në ora 17.00 në vilën presidenciale në Shkup, Vodno.

Takimin e kanë konfirmuar: Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe lideri i Alternativës, Afrim Gashi.

Nuk është koha për zhgënjim, reformat në drejtësi duhet të intensifikohen
“Tash nuk është koha për zhgënjim, apati apo kalkulime për të fituar pikë politike. Tash është koha për bashkim të sërishëm, rreth asaj se çfarë është më e rëndësishme në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV)- e ardhmja jonë dhe e ardhmja e gjeneratave që vijnë”. Me këto fjalë, presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski iu drejtua popullit, pasi shprehu keqardhje për mosmarrjen e datës nga Bashkimi Evropian (BE).

Pendarovski ka porositur gjithashtu, se reformat, në veçanërisht në funksionimin e shtetit të së drejtës, duhet të vazhdojnë dhe të intensifikohen pa asnjë kalkulim.