Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, partitë nisin negociatat, shqyrtohen qëndrimet

Shpërndaje

Është mbajtur takimi i parë i grupeve negociatore për ndryshimet eventuale në Kodin Zgjedhor. Si takim i parë nuk solli asnjë vendim, megjithatë takimi ndihmoi partitë të sqarojnë pozicionet e tyre. BDI këmbëngul për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, por jo edhe për ndryshim të modelit aktual zgjedhor. VMRO-DPMNE ende nuk ka një qëndrim të qartë rreth kësaj çështjeje, por mbështet rekomandimet e OSBE-së.

“Ne si BDI jemi të gatshëm që të diskutojmë mbi ndryshimet e nevojshme të cilat duhet të bëhen, në veçanti nëpërmjet të inkorporimit të rekomandimeve të ODIHR-së dhe OSBE-së. BDI-ja e ka thënë qartazi se modeli përfaqësues me gjashtë njësi zgjedhore dhe proporcional është modeli më i mirë i cili garanton përfaqësimin e komuniteteve të tjera në Kuvend dhe mbetemi në atë qëndrim. Rreth listave të hapura nuk kemi asgjë kundër në rast se bëhet ndonjë edukim goxha serioz i trupit votues për mënyrën e votimit”,- deklaroi Artan Grubi nga BDI.

“VMRO-DPMNE-ja, si parti më e madhe opozitare, në mënyrë aktive është përfshirë në këto negociata. Fillimisht do të duhet të përqendrohemi në rekomandimet që janë dhënë nga OSBE/ODIHR për tejkalimin ose reduktimin e problemeve që paraqiten në ciklet zgjedhore, veçanërisht ata të fundit, por edhe në zgjedhjet e vitit 2016. Si parti politike akoma në rend dite nuk e kemi vendosur modelin zgjedhor, por qëndrimi im personal është që modeli i shumicës për momentin është zgjidhja më e mirë”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.