Ndryshimi i vonuar tri dekada në Maqedoninë Veriore

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore të mos e përkthejnë fjalën ndryshim, në lakmi për pushtet, vasalitet dhe nënshtrim. Me iniciativë të kryetarit të shtetit të Maqedonisë Veriore është organizuar një takim me liderët e partive politike parlamentare, në të cilin është biseduar në lidhje me përfundimet e Këshillit të Evropës për mosdhënien e datës për bisedime të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në BE, për hapat që do t’i ndërmerr qeveria aktuale e këtij shteti në lidhje me këto çështje, si dhe caktimin e datës për zgjedhje të reja parlamentare, të cilat është vendosur të mbahen më 12 prill të vitit të ardhshëm. Pas këtij takimi vërehet një eufori sidomos në radhët e partive opozitare të shqiptarëve dhe anëtarësia e tyre, të cilat paralajmërojnë ndryshimin e madh që duhet të vijë pas zgjedhjeve të reja parlamentare. Nëse është kështu siç mendojnë anëtarët, simpatizuesit dhe përkrahësit e partive politike opozitare të shqiptarëve, vlen t’ua përkujtojmë se:

1. Farmati i pjesëmarrësve të këtij takimi në tryezën e organizuar nga kryetari i shtetit të Maqedonisë Veriore, me 2 përfaqësues nga pala maqedonase dhe 5 përfaqësues nga pala shqiptare, nuk është shenjë e mirë, përkundrazi është një dobësi, sepse kjo dëshmon që shqiptarët nuk janë unikë në qëndrimet e veta, nuk kanë një zë të përbashkët në lidhje me çështjet e pazgjidhura në këtë shtet, prandaj edhe sikur të organizohen dhjetëra takime në këtë përbërje, format të pjesëmarësve në takime të liderëve të partive politike, asgjë nuk do të ndryshojë në skenën politike të këtij shteti në të mirë të shqiptarëve dhe të çështjes së tyre të pazgjidhur.

2. Përaqësuesit e palës maqedonase në këtë takim, njëri nga pozita dhe tjetri nga opozita, nuk i përfaqësojnë vetëm partitë e tyre, por ata përfaqësojnë koalicione të tëra, në të cilat bëjnë pjesë nga dhjetëra parti të bllokut maqedonas dhe pa aq edhe të partive politike të pakicave të tjera në këtë shtet, turqit, romët, vllehët, serbët, boshnjakët dhe të tjerët, ndërsa pesë liderët e partive politike të shqiptarëve, shumica e të cilëve në këtë takim janë vetëm dekor, pjesë ceremoniale e takimit, formalitet dhe pjesë e mashtrimit të madh politik të shqiptarëve, me vetë faktin se shumica e tyre, përveç vetes, përfaqësohen vetëm me nga një ose dy deputetë në Parlamentin e Maqedonisë Veriore.

3. Fryma e marrëveshjeve dhe bashkëpunimit mes partive politike të vendit, që kësaj radhe ka ndodhur pa ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, jep shpresë se në të ardhmen do të ketë një atmosferë më të qetë dhe pa tensione gjatë ndërrimit të pushtetit. Kjo frymë e re e bashkëpunimit dhe koordinimit të partive politike parlamentare, të pozitës dhe opozitës, në interes të qytetarëve dhe të shtetit, për një të ardhme më të mirë, me këtë duke e përshpejtuar edhe procesin e integrimeve euroatlantike të vendit dhe reformat e nevojshme, duhet të shpresojmë se do të bëhen pjesë e agjendave edhe të partive politike të shqiptarëve, të pozitës dhe opozitës, nëse ndërkohë do të ndryshojnë diçka për të mirë në veprimet e ardhshme të tyre, ndryshe nga veprimet e mëparshme, me të cilat shqiptarët kanë hyrë në një rrugë pakrye, në tunelin ku nuk duket asnjë dritë për të ardhme më të mirë të tyre në këtë shtet, kryesisht për fajin e partive politike dhe të drejtuesve të tyre, të cilët edhe në takimin e sotëm të liderëve në tryezën e organizuar nga kryetari i shtetit, duket se nuk kanë hequr dorë nga mendësia e vjetër, duke lënë përshtypjen se secili prej tyre përfaqëson një grup interesi dhe jo interesin e popullit shqiptar në këtë shtet. Se a është kjo kështu, shihet edhe nga deklaratat e tyre pas këtij takimi, që krijon përshtypjen sikur ata janë liderë aq të rëndësishëm pa të cilët nuk mund të bëhen ndryshime, ndërsa harrojnë se janë përfaqësues të disa partive politike minore që i përkasin pakicës kombëtare prej 20%, dhe asgjë më tepër.

Përfundimisht, ndryshimet nuk mund të bëhen me dëshirë vetëm për të marrë pjesë në pushutet, por me ndryshimin e gjendjes ekzistuese, duke filluar nga reformat e brendshme në partitë politike, mënyrën e përfaqësimit të shqiptarëve në këtë shtet, bashkëpunimin dhe koordimin e tyre për çështjet me interes të përgjithshëm dhe, përfundimisht me ndryshimin i kursit politik të derisotëm, ndërprerjen e vasalitetit të partive politike të shqiptarëve dhe liderëve të tyre ndaj çdo pushteti që vjen e shkon në këtë shtet.

Shqiptarëve në Maqedoninë Veriore u mbetet të shpresojnë që partitë politike të tyre kësaj radhe nuk do ta përkthejnë fjalën NDRYSHIM, me fjalët: lakmi për pushtet, vasalitetit, përulje dhe nënshtrim, duke e dëmtuar kështu edhe kauzën e përgjithshme kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, siç e kanë dëmtuar deri më sot.