Nga sa deputetë pritet t’i kenë katër partitë e mëdha të Kosovës?

Shpërndaje

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të 98.15 për qind të votave, e nxjerrin renditjen e katër partkive më të mëdha politike në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 200 mijë e 754 vota (25.56 për qind), Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e dyta, me 195 mijë e 296 vota (24. 87 për qind), PDK-ja ddel e treta, me 166 mijë e 9 vota (21.13 për qind), kurse AAK-ja, bashkë me PSD-në dhe PAD-në, renditet e katërta, me 90.617 vota (11.53 për qind).

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 31 deputetë në Kuvendin e ardhshëm, LDK-ja do t’i ketë 30 deputetë, PDK-ja do t’i ketë 25 kurse AAK-ja vetëm 14.

Koalicioni NISMA-AKR, sipas rezultateve të deritanishme, nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor.

Këto rezultate e thjeshtojnë shumë mundësinë e krijimit të koalicionit qeverisës. Lëvizjes Vetëvendosje, si forcë e parë, i mbeten vetëm dy opsione për koalicion, LDK-ja dhe AAK-ja, pasi drejtuesit e saj kanë thënë se assesi nuk do ta pranojnë PDK-në për bashkëqeverisje.

Kryetari i saj Albin Kurti, i cili e pret nominimin për mandatar të qeverisë, ka bërë të qartë se LDK-ja është partneri i preferuar i Vetëvevdndosjes për bashkëqeverisje. Ai ka paralajmëruar se qysh sot do të fillojë bisedimet me drejtuesit e kësaj partie.

Kurse e ka quajtur të padëshirueshëm, madje edhe të gabuar, krijimin e koalicionit me dy partitë që kanë bashkëqeverisur në mandatin e fundit.