Opozita shqiptare në Maqedoni me asgjë nuk krahasohet me opozitën që i ka fituar zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë

Shpërndaje

Analizë Politike

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Flamuri i fitores së një force politike opozitare të mirfilltë nuk mund të jetë laraman, i përlyer më parë me ngjyra të tjera partiake dhe nga ideologji të huaja politike dhe fetare.

* * *
– Lëvizjet politike progresive dhe liderët e mirfilltë krijohen për shkaqe dhe në rrethana të veçanta, nuk dalin nga mëngët e pushtetit, nga nënsjetullat e partive të mëparshme politike, apo nga grazhdi i fondacioneve dhe shërbimeve të huaja sekrete, jetësisht të interesuara ta mbajnë nën kontrollin lëvizjen politike të shqiptarëve në Maqedoni.

– Albin Kurti është rritur e kalitur me Lëvizjen Vetëvendosje, siç edhe kjo Lëvizje është rritur me Albinin dhe shokët e tij, me ide dhe qëllime të njëjta, nuk janë prodhim i partive të tjera, jashtë Lëvizjes që ata përfaqësojnë sot. Ky është dallimi thelbësor pse shqiptarët në Maqedoni nuk kanë parti të mirfillta opozitare dhe aq më pak liderë me të cilët mund të bëhet ndryshimi i pritur për të cilin shpresojnë shqiptarët në Maqedoni.

– Këmisha me arrna nuk mund të shërbejë si veshje solemne për festë, siç pretendojnë disa entiziastë dhe tipa euforikë në radhët e shqiptarëve në Maqedoni.

* * *

OPOZITA SHQIPTARE NË MAQEDONI ME ASGJË NUK KRAHASOHET ME OPOZITËN QË I KA FITUAR ZGJEDHJET E FUNDIT PARLAMENTARE NË KOSOVË

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, të entuziasmuar nga fitorja e partive të opozitës atje, sikur janë gëzuar tejmase disa individë, formacione partiake dhe grupe të interesit edhe në Maqedoni.

Do të ishte mirë sikur situata vërtet të ishte kështu, por, pavarësisht nga kjo eufori, shpresoj ta kenë të qartë të gjithë se gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk është siç e paraqesin disa individë, analistë dhe politikanë të interesuar vetëm për pushtet jo edhe për ndryshimin e gjendjes së popullit shqiptar në këtë shtet. Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është krejtësisht ndryshe nga gjendja në Kosovë, edhe atë, jo sot dhe nga këto zgjedhje, por gjithmonë ka qenë e tillë.

Pse kjo është kështu, po i përmendim me këtë rast disa fakte më të rëndësishme.

Partia që ka fituar më tepër vota në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë është Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk ka lindur si fraksion i individëve dhe grupeve të pakënaqëra, të larguara nga partitë politike të mëhershme, por ka lindur nga lëvizja studentore e para tri dekadave, është kalitur në shumë beteja politike, me protesta në rrugë dhe beteja politike në institucione. Lideri i Lëvizjes Vetëvendsoje, Albin Kurti, ka qenë lider i lëvizjes studentore edhe në rrethana të okupimit serb në Kosovë, si edhe shef i Zyrës së përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçit, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, më 1998-1999, dhe ka një biografi të bujshme si politikan kryengritës dhe lider.

Partia tjetër që ka fituar gjithashtu numër më të madh të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit në Kosovë është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila edhe pas tri dekadave nga formimi i saj (1989) mbijeton në skenën poltike të Kosovës, me famën e ish kryetarit të saj dhe Presidentit historik të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe të dhjetëra intelektulëve të shquar që i ngritën institucionet e para të shtetit të pavarur të Kosovës, e ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës dhe fituan simpatinë e institucioneve ndërkombëtare, të liderëve dhe të shteteve më të fuqishme të botës.

Kjo elitë intelektuale ka ndërtuar filozofi të veten politike, traditë shtetformimi e shtetndërtimi dhe ka siguruar mbështetje të përhershme ndër qarqet intelektule në vend, qendra me ndikim jashtë vendit, ndër shtresat e ndryshme të qytetarëve të Kosovës dhe sidomos në familjet e mëdha shqiptare me tradita atdhetare.

Partitë me traditë të këtillë politike, edhe pas goditjeve të shumëta gjatë periudhës së pasluftës, kanë fuqi të brendshme të ringrihen, siç ndodhi kësaj radhe me LDK-në dhe kandidaten Vjosa Osmani, një lidere e re, e përgatitur profesionalisht dhe e kalitur në beteja diplomatike jashtë vendit, në beteja politike në kuadër të partisë së saj dhe me aktivitete në instituciconet e pushtetit.

Ndërkaq, partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat aktrojnë opozitarizëm në skenën poltike të këtij shteti, as për së afërmi nuk i kanë këto premisa, as betejat politike, as përvojën tridhjetëvçare, as liderët të lindur dhe krijuar bashkë me partitë që i përfaqësojnë.

As Albin Kurti dhe as Vjosa Osmani nuk janë prodhim i jashtëm, pjesë e fraksioneve partiake dhe grupimeve politike të pakënaqura të dala nga partitë tjera politike, të cilave u kanë shërbyer me devotshmëri për vite të tëra dhe me mandate të plota në institucionet e pushtetit, deri në çastin e “rebelimit” për interesa individuale dhe grupore, sigurisht që jo për qëllime më të larta shoqërore dhe interesa kombëtare.

Paramendoni sa vota do të kishin fituar Lëvizja Vetëvendosje ose LDK nëse Vjosa Osmani apo Albin Kurti do të kishin qenë më parë pjesëtarë, deputetë apo funksionarë të lartë të partive të tjera politike, përballë të cilave do të ndodheshin në fushtatë dhe kundër të cilave do të garonin në zgjedhjet e parakohshme parlamentre të 6 tetorit në Kosovë?!

Këmisha me arrna nuk mund të shërbejë si veshje solemne për festë, siç pretendojnë disa entiziastë dhe tipa euforikë në radhët e shqiptarëve në Maqedoni.

Albin Kurti është rritur e kalitur me Lëvizjen Vetëvendosje, siç edhe kjo Lëvizje është rritur me Albinin dhe shokët e tij, me ide dhe qëllime të njëjta, nuk janë prodhim i partive të tjera, jashtë Lëvizjes që ata përfaqësojnë sot. Ky është dallimi thelbësor pse shqiptarët në Maqedoni nuk kanë parti të mirfillta opozitare dhe aq më pak liderë me të cilët mund të bëhet ndryshimi i pritur për të cilin shpresojnë shqiptarët në Maqedoni.

Lëvizjet politike progresive dhe liderët e mirfilltë krijohen nga shkaqe dhe në rrethana të veçanta, nuk dalin nga mëngët e pushtetit, nga nënsjetullat e partive të mëparshme politike, apo nga grazhdi i fondacioneve dhe shërbimeve të huaja sekrete, jetësisht të interesuara ta mbajnë nën kontrollin lëvizjen politike të shqiptarëve në Maqedoni.

(8.X.2019)