Pagat, SASHK-u kërkon rritje më të lartë se 10%

Shpërndaje

Këtë javë ose javën që vjen, anëtarët e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës do ta japin fjalën përfundimtare nëse do të pranojnë rritjen e pagave prej 10 përqind për punonjësit në arsim. Kështu deklaroi kreu i SASHK-ut Jakim Nedellkov pas takimit dy orësh me kryetarët e këshillave drejtues të kësaj sindikate dhe ministrin e Arsimit, Arbër Ademi. Nedellkov, tha se kërkohet rritje më e lartë se 10 % por pa saktësuar përqindjen dhe që rritja e pagave të nis nga janari i vitit të ardhshëm dhe jo nga muaji prill siç u paralajmërua një ditë më parë nga ministri Ademi.

Përfundimisht mendoj se ka hapësirë për lëshime pozitive nga ana e Qeverisë, prandaj edhe një herë apeloj qeverinë dhe kryeministrin që mos të vij deri te ajo që realisht mund të ndodhë për fat të keq për të gjithë të përfshirë në këtë problematikë, fatkeqësisht edhe për ministrinë, fatkeqësisht edhe për SASHK-un që mund të përdor mjetin për presion, e ajo është greva e përgjithshme. Anëtarët tonë do të kenë fjalën përfundimtare, është jo korrekte që në emër të 25 mijë punonjësve arsimor në vend, unë të jap qëndrimin tim personal edhe pse si kryetar fjala ime ka peshë, megjithatë absolutisht është jo korrekte të flas në emër të tyre akoma pa i dëgjuar- deklaroi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Ministri i arsimit, Arbër Ademi theksoi se dikasteri i tij do të jetë i hapur për bisedime me SASHK-un pas çdo vendimi të marrë nga ana e tyre.

Një vendim i tillë duhet të mirëpritet, të përshëndetet dhe të inkurajohen institucionet që të punojnë edhe më tepër për të përmirësuar gjendjen dhe rrethanat në sistemin arsimor. Për një mandat pak më tepër se dy vite kemi ngritje të pagave mbi 21 përqind në sektorin e arsimit, përfshirë këtu, kësaj radhe edhe arsimin e lartë edhe institutet shkencore ku do të përfitojnë nga kjo ngritje për 10 përqind – deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit.

Ndërkohë, në seancën e sotme të rregullt të Qeverisë kaloi informacioni për rritjen e pagave të punonjësve në arsim prej 10 përqind./ALSAT/