Pas Lëvizjes BESA, reagon edhe ASH-ja për autostradën Shkup – Bllacë

Shpërndaje

Ditë më parë, FR-Lëvizja BESA, reagoi në lidhje me zvarritjet e autostradës Shkup – Bllacë dhe në formë simbolike rinistët e Besës “pren shiritn e kuq”, duke thënë se BDI-ja është parti e shiritave.

“Edhe pse me mijëra herë funskionarët e BDI-së e kanë premtuar ndërtimin dhe lëshimin në përdorim të autostradës Shkup-Bllacë, sot e kësaj dite një gjë e tillë nuk është realizuar. Funksionarët e lartë të BDI-së e kanë vizituar shpesh herë këtë vend, duke na gënjyer, se kjo rrugë shumë shpejt do të jetë funksionale dhe do t’a lidhë R. e Maqedonisë së Veriut dhe R. e Kosovës. Premtimet boshe të tyre, tanimë janë duke marrë fund, sepse edhe gënjeshtrat e shpeshta të tyre janë harxhuar.

Ne jemi këtu që në mënyrë ironike të përcjellim mesazhin e dështimeve të funksionerëve të BDI-së, duke e prerë shiritin e dështimeve të tyre dhe simbolikisht ta bëjmë hapjen e kësaj rruge e cila ende nuk ka filluar të ndërtohet, me qëllim që t’ju mundësojmë qytetarëve lëvizje të lirë në mes dy shteteve! Duke e ditur se për prerjen e shiritit konkurenca është e madhe, i ftoj në mënyrë paqësore t’a presinë shiritin e kuq dhe ta zgjidhin këtë problem shumë vjeçar.

Përndryshe BDI njihet edhe si “subjekt i shiritit të kuq”, sepse janë prerë shumë shirita për projekte, por fatkeqësisht të papërfunduar. Forumi Rinor i Lëvizjes BESA do ti ndjek hap pas hapi të gjitha dështimet BDI-së dhe njëkohësisht do të jetë zë i fuqishëm i manipulimeve të BDI-së dhe të qeverisë, e cila për çdo ditë po e humb besimin tek qytetarët për shkak të mos realizimit të premtimeve elektorale”, thuhet në kumtesën e rinistëve të Lëvizjes BESA.

Sot ka reaguar edhe ASH nëpërmjet një pres konference duke thënë se është anuluar tenderi i autostradës Shkup – Bllacë.

“Aleanca ka sigurura dokumentin e anulimit nga Byroja për Furnizime Publike ku edhe është publikuar ky dokument me të cilin është anuluar projekti në fjalë. Në pjesën e arsyetimit të anulimit qëndron se nuk ka pasur asnjë ofertë, apo asnjë ofertë të pranueshme. Prandaj ne si Aleancë pyetjen e parë që e shtrojmë është, pse projekti është anuluar, ndërkohë që data për aplikimin e tenderit është deri më 29 Nëntor të vitit 2019. Aleanca pyet BDI-në se mos vallë ky projekt po ruhet si një vegël premtimi për fushatën zgjedhore që është përpara nesh” – pyet zëdhënësja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, përcjell in7.

Sipas Dautit, Bashkimi Demokratik për Integrim shpesh ka premtuar investime kapitale prej qindra miliona eurosh, por këto projekte ose nuk kanë filluar fare ose janë lënë përgjysmë për tu shfrytëzuar për qëllime zgjedhore.

“Në vitin 2014 u premtua edhe hapja e kufirit Bellanoc – Stançiq, si edhe ai Tanushë – Debëllde, por që ende janë vetëm në fazën fillestare. Një investim tjetër kapital dhe jetik për vendbanimet shqiptare ishte ndërtimi i stacioneve filtruese dhe rrjeteve të ujësjellësit në Tetovë dhe Likovë. Deri kur BDI mendon ti gënjejë shqiptarët me të njëjtat premtime boshe, të cilat as nuk ka ndërmend ti realizojë ndonjëherë”, përfundoi Ilire Dauti.

Sipas Aleacnës për Shqiptarët, partia shqiptare në pushtet e ka për zakon që në çdo fushatë zgjehdore ti japë premtimet e njëjta, por kësaj radhe sipas tyre, ata nuk do ta lejojnë këtë gjë pasi do ti publikojnë tëgjitha projektet e lëna përgjysmë ose që premtohen vazhdimisht e nuk realizohen”, thuhet në reagimin e ASH-së./TopAlNews/