Pendarovski – Pompeo: Thellimi i partneritetit strategjik me SHBA-në

Shpërndaje

Vizita e sekretarit shtetëror amerikan Majk Pompeo në një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme për shtetin tonë, është konfirmim për miqësinë mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut, e bazuar në vlerat e përbashkëta për paqe, liri dhe demokraci, porositi presidenti Stevo Pendarovski pas takimit të sotëm me shefin e diplomacisë amerikane në “Vilën Biljana” në Ohër.

“SHBA-ja është partner i yni strategjik që nga pavarësia jonë, ndërsa mbështetja jonë amerikane ishte kyçe në reformat e mbrojtjes dhe transformimit të Armatës sonë, me qëllim përmbushjen e kritereve për anëtarësim në NATO. Përmes programeve për zhvillim, SHBA-ja na ndihmoi në përforcimin e institucioneve, sundimin e së drejtës, përforcimin e sektorit qytetar dhe mediat, si dhe mbështetja e klimës së volitshme për shkëmbim tregtar mes të dyja vendeve”, theksoi Pendarovski.

Ai u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-ja dhe në periudhat kur vendi i zgjidhte çështjet e rënda për stabilitetin e brendshëm, si dhe arritja e kompromisit për kontestin dhjetëvjeçar për çështjen e emrit, në frymën e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.

“Maqedonia e Veriut do të vazhdojë me bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në. Vlerësoj se është e nevojshme mbështetja e rritur amerikane në periudhën e ardhshme, në të cilën Maqedonia e Veriut duhet të jetë anëtarja e 30-të anëtare e NATO-s dhe t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha presidenti Pendarovski.

Sekretari Pompeo, informojnë nga Kabineti i shefit të shtetit, u falënderua për mikpritjen e ngrohtë në Maqedoninë e Veriut, e cila është etapa e tretë e turneut të tij, në kuadër të së cilës tashmë i vizitoi Italinë dhe Malin e Zi, ndërsa nga Ohri udhëton për Greqi.

Ai konfirmoi se mbështetja amerikane në thellimin e miqësisë mes të dyja vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, që është e rëndësishme jo vetëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit.