POLITIKA, LOGJIKA DHE KËRKIMFALJA E MUNGUAR

Shpërndaje

Nëse shumica e njerëzve janë të gatshëm të sakrifikojnë për interesa të përgjithshme, pse duhet symbyllur t’u shërbejmë interesave personale dhe grupore të disa politikanëve të dështuar, shumica prej tyre të korruptuar dhe dyshuar për krime?!

Shkruan: Abdulla Mehmeti

POLITIKA, LOGJIKA DHE KËRKIMFALJA E MUNGUAR

Përderisa gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk ka ndryshuar gati me asgjë thelbësore për tri dekada me radhë, ndërsa drejtuesit e partive politike aktuale të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe shumica kanë qëndruar në skenën politike me mandate të plota, si deputetë, ministra, zëvendësministra, drejtorë të ndërmarrjeve të mëdha shtetërore, kryetarë të komunave, atëherë, qytetarët shqiptarë pse duhet ta presin ndryshimin e madh nga këta individë, kur logjika e thotë se drejtuesit e këtyre partive e presin ndryshimin, por për llogari të tyre personale, ngritjen apo mbetjen edhe më tej në pushtet, ndërsa qytetarëve u mbetet të reflektojnë, të esullohen dhe kërkojnë zgjidhje të tjera për realizimin e të drejtave të tyre kolektive të mungura.

Gabimi, i vogël apo i madh, është gabim;
Dështimi, i vogël apo i madh, është dështim;
Vetëm falja nuk mund të jetë asnjëherë e vogël: është falje dhe përherë e madhe, njerëzore dhe hyjnore, të cilën nuk kanë denjuar asnjëherë këta politikanë t’ia kërkojnë popullit, qytetarëve dhe votuesve të tyre, për mashtrimin e madh dhe dështimet e derisotme, pjesë të së cilava kanë qenë edhe vetë këta politikanë!

Nëse këta politikanë sa kanë qenë në pushtet deri më sot kanë arritur ndoshta të vendosin ndonjë gur në kalanë e madhe të çështjes shqiptare, kjo është e mjaftueshme të mos besojë dhe shpresojë askush se të njëjtët mund të ndërtojnë një kala të tërë, siç kanë nevojë dhe presin shqiptarët në Maqedoni!

A sheh dikush gjë të re dhe të paprovuar në këtë mes?!

Të ardhmen e kemi përpara, secili me ëndrrën e tij; qytetarët shqiptarë për liri, të drejta dhe barazi, ndërsa politikanët për pushtet, pasuri, famë dhe interesa personale.

Nuk e kam të qartë pse ende duhet ta besojmë këtë sistem si demokraci, e jo si partikraci dhe oligarki!

Mashtrimi dhe përralla me tra-la-la-la e politikës vazhdon, por edhe ëndrra e qytetarëve shqiptarë për të ardhme më të mirë dhe ndryshime ende nuk ka përfunduar.