Pse duhet t’i dënojmë kaq lehtësisht të huajit dhe amnistojmë kriminelët në mesin tonë?!

Shpërndaje

(Harrojeni çmimin Nobël për shkrimtarin austriak me prejardhje sllave dhe shikojeni sa ka të tillë edhe ndër ne shqiptarët, të cilët hapur ose tinëz i kanë shërbyer regjimit kri*minal të Millosheviqit, interesave të akupatorit serb kundër shqiptarëve, dhe asnjë qime floku nuk u ka munguar deri më sot!)

Shkrua: Abdulla Mehmeti

Gati nuk mbeti asnjë njeri i pendës ndër ne shqiptarët, qoftë edhe sa për ta shkruar një status dosido në rrjetet sociale, pa e shpehur revoltën kundër ndarjes së Çmimit Nobël për shkrimtarin austriak me prejardhje sllave, një racisti dhe shovinisti të dëshmuar me shkrime dhe vepra konkrete, përkrahësit të hapur të gjenocidit serb mbi kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, përkrahësit dhe mbrojtësit të kri*minelit të luftës, Millosheviqit.

Përkrahësit dhe nxitësit e urrjetjes, shovinizmit dhe racizmit ndaj popujve të shtypur dhe robëruar, nuk janë nderuar nga institucionet evropiane vetëm sot; kjo është një histori e gjatë dhe e dhimbshme, një sëmundje kronike që e vuan kontinenti i vjetër prej kohësh. Më mirë se shqiptarët askush tjetër nuk e ka përjetuar këtë, prandaj, nuk duhet kaq tepër të preokupohen shqiptarët me këtë çështje vetëm sot.

Që ta dëshmojmë se ne jemi popull dinjitoz, këtë çështje duhet t’ua lëmë institucioneve, shoqotave të shkrimtarëve dhe artistëve, Pen qendrave, institucioneve në rrugëve zyrtare për ta shprehur indinjatën për këtë çështje, sepse kështu siç veprojmë po e dëshmojmë për të satën herë se jemi njerëz me prirje për të privatizuar gjithçka, për ta zbritur në rrafshin individual, njerëz me vese të ulëta që ndikohemi lehtë dhe reagojmë shpejtë, sapo krijohet një model informate apo ngjarje menjëherë vazhdojmë ta kopjojmë dhe përhapim gjithandej siç na e servojnë mediat dhe krijojnë të tjerët, sikur nuk kemi ide dhe çështje të tjera më të rëndësishme.

Që me ndarjen e çmimit Nobël për shkrimtarin shovinist dhe racist serb, Ivo Andriq, shqiptarët nuk është dashur fare të merren me këtë institucion, sado që ai të jetë prestigjioz dhe me peshë në botën akademike dhe jetën shoqërore evropiane e botërore.

Popujt, shtetet dhe kontinenti i vjetër i Evropës ka plot gjëra të tjera të mira, humane dhe të dobishme me të cilat duhet të merren dhe t’i afirmojnë shqiptarët.

Shqiptarët e kanë për obligim t’i kërkojnë rrënjët e veta, t’i nderojnë dhe mbrojnë identitetin, historinë, kulturën, gjuhën dhe traditat e veta kombëtare. Me këtë duhet të krenohen shqiptarët, kur e nderojnë dhe lartësojnë veten e tyre, pa u preokupuar tepër se si veprojnë të tjerët dhe çka mendojnë për ne.

Nuk ka çmim më të lartë për një shqiptar, kudo që të jetë ai, se sa ta nderojë kombin e tij, të punojë dhe t’i shërbejë kauzës kombëtare. Popujt dhe shtetet tjera të botës punojnë për interesat e tyre, jo sipas shijes dhe interesave të të huajve, aq më më pak të ne shqiptarëve.

Mos pyetni se çfarë bëjnë të tjerët për ne, apo kundër nesh, por çfarë bëjmë ne për veten tonë, dhe në mos edhe dikush nga ne ka punuar dhe punon kundër këtyre interesave?

Është e ditur se shkrimtari austriak me prejardhje sllave është një model i përkryer racisti modern, ka shkruar dhe punuar edhe kundër interesave të shqiptarëve, por sa shqiptarë kanë qenë në këtë vijë të njëjtë dhe asnjëri prej tyre nuk është dë*nuar deri më sot, askujt nuk i ka munguar as një fije floku për qëndrimet dhe veprimet e tij në interes të akupatorit serb dhe kundër interesave të populli shqiptar! Pse duhet të jemi kaq agresiv ndaj të huajve dhe kaq paqesorë (naivë) ndaj njerëzve tanë, ndaj disa shqiptarëve (kopilave) që kanë kryer krime të rënda mbi qenien tonë kombëtare?!

(12.X.2019)