Qeveria sot në rend dite çështjen e shkollës për nxënësit shqiptarë në Idrizovë të Shkupit

Shpërndaje

Qeveria sot do të trajtojë fatin e nxënësve shqiptarë të fshatit Idrizovë të Shkupit, të cilët kërkojnë hapjen e klasës së gjashtë në shkollën e fshatit të tyre, një kërkesë që po kundërshtohet nga banorët lokal maqedonas. Nxënësit shqiptarë pesë vitet e para nga klasa e parë mësojnë në shkollën e fshatit, më pas ata nga klasa e gjashtë janë të detyruar të ndjekin mësimin në shkolla tjera duke udhëtuar deri në 8 kilometra, pasi që nuk janë krijuar kushtet për të vijuar mësimin në shkollën e fshatit të tyre. Ata sivjet bashkë me prindërit kanë kërkuar që të sigurohet stafi dhe kushtet që klasën e gjashtë ta vijojnë në fshat dhe të mos udhëtojnë qindra kilometra. Në pritje të kërkesës ata nuk po vijojnë procesin mësimor. Ministri i Arsimit Arbër Ademi as dje nuk zbuloi se kur do të fillojnë me shkollë nxënësit. Por thotë se kjo çështje do të diskutohet nesër në qeveri. Ademi shton se çështja e shkollës është zgjatur dhe politizuar. Dy ditë më parë prindërit e nxënësve, ministri i arsimit dhe kryetari i Gazi Babës u dakorduan që të gjendet një zgjidhje afatgjate, e ajo është ndërtimi i një shkolle të re. Banorët kërkojnë që problemi të zgjidhet sa më shpejt.