Rama-Vuçiq-Zaev shtrëngojnë duart: Nuk do ta presim Bashkimin Evropian, s’jemi prioritet i tyre

Shpërndaje

Edi Rama, Alekandar Vuçiq dhe Zoran Zaev u zotuan sot se do të çojnë përpara të gjitha angazhimet që kanë marrë për bashkëpunimin e thellë midis tre shteteve.

Duke folur në konferencën e përbashkët me presidentin serb dhe kryeministrin maqedonas, Rama tha se angazhimet dhe projektet që synohen të çohen përpara janë dakordësuar në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ai theksoi se Ballkani Perëndimor nuk është më prioritet i Bashkimit Evropian, por kjo nuk duhet t’i pengojë tre shtetet që çojnë përpara axhendën e bashkëpunimit.

“S’ka ndryshim agjende në raport me partnerët ndërkombëtarë, por ka një ndryshim formati që është i ndërtuar mes nesh pa pritur që Bashkimi Evropian të ketë kohë të merret me ne. Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i BE-së, prioriteti i tyre është procesi ku kanë hyrë për të reformuar veten. Ne nuk mund të presim të bëhemi prioriteti i BE-së, por të avancojmë duke strukturuar një veprim shumë më aktiv”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar garantoi se në bashkëpunimin midis tre shteteve nuk ka asgjë të panjohur nga çfarë është diskutuar më parë edhe me shtetet e tjera të rajonit. /TCH/