Reagon Thaçi, e përmend formimin e qeverisë por jo edhe fituesin

Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka uruar qytetarët e vendit dhe partitë politike për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën dje. Por, Thaçi nuk e ka përmendur edhe partinë fituese të këtyre zgjedhjeve.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka deklaruar se Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike, derisa ka thënë se e njejta pjekuri politike duhet të tregohet edhe në formimin e qeverisë së re.

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, ka shkruar Thaçi.

Ndryshe, në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor, partia e parë është Lëvizja Vetëvendosje, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës./Express