Sela iu bëri thirrje publike Lëvizjes Besa dhe Alternativës për koalicion parazgjedhor

Shpërndaje

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i fton publikisht Lëvizjen Besa dhe Alternativën për koalicion parazgjedhor. Në debatin në “Rruga drejt”, Sela ekskluzivisht kërkoi që kundrejt Aleancës, Besës dhe Alternativës të bashkohen BDI, PDSH dhe RDK me qëllim formimin e dy blloqeve shqiptare para zgjedhjeve të 12 prillit 2020.

Shkurt e shqip nuk kam pas akoma negociata për zgjedhje, qoftë me Lëvizjen Besa apo qoftë me Alternativën. Por u bëj thirrje publike, ja nga këtu: Aleanca për Shqiptarët është e interesuar për një koalicion me Lëvizjen Besa dhe Alternativën bashkë. Jo PDSH. Atë do ja japin Aliut. Meqë ai kërkon që ne të bashkohemi, të bashkohet edhe ai. Ne do të punojmë bashkë me Besën dhe Alternativën që të ndodh ky koalicion. Në ndërkohë, i bëj thirrje edhe Aliut që edhe ai të marr Veselin dhe Menduhin dhe t’i bëjmë dy blloqe politike – deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i ASH-së.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev beson se koalicioni me BDI-në do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të prillit. Sipas Zaevit, me BDI-në i bashkon programi Qeveritarë, duke e cilësuar bashkëpunimin si koalicioni i cili zgjidhi çështjet më të rëndësishme në shtet.

Derisa e respektojmë programin dhe vlerat që burojnë prej aty, besimi mes nesh ekziston dhe do të ekzistojë. Nuk kam dilema. Po, i besoj zotit Ali Ahmeti për shkak të përpjekjeve të tij personale për zbatimin e programit dhe shfrytëzimin e koalicionit në të mirën e qytetarëve. Në momentin e parë mund të ndahemi apo ta forcojmë bashkëpunimin, por mbi gjitha mbetet e drejtë e qytetarëve të cilët mund të na ndryshojnë me vendimin e tyre – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

VMRO-DPMNE-ja është duke negociuar për ri-organizimin e koalicioneve parazgjedhore. Lideri i partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickoski ditë më parë deklaroi se negociata po zhvillohen edhe me subjektet shqiptare, partnerë të LSDM-së së Zoran Zaevit./ALSAT/